Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka reaguar pas raportimeve në media për një incident të ndodhur në zonën turistike të Thethit, ku po zhvillohet aksioni i IKMT për prishjen e ndërtimeve pa leje.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 15:35 të ditës së sotme, një shtetas ende i paidentifikuar ka hedhur një shishe me lëndë djegëse në rrugë, pranë një ure druri në lagjen “Gjelaj”. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë, është parandaluar djegia e plotë e urës, e cila ka pësuar vetëm dëmtime të pjesshme.
Policia thekson se nuk është sulmuar asnjë nga mjetet e IKMT-së me molotov dhe se nuk është shkaktuar asnjë dëm material apo rrezik për jetën e qytetarëve apo të punonjësve shtetërorë.
Aktualisht, forcat e Policisë së Shkodrës dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë ndodhen në zonë për të garantuar mbarëvajtjen e operacionit të IKMT-së dhe IMT-së së Bashkisë Shkodër.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të zjarrvënies. Policia apelon për qetësi dhe bashkëpunim nga banorët, duke paralajmëruar se çdo pengesë ndaj veprimeve ligjore do të përballet me forcën e ligjit.



