back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 24 Shkurt, 2025
spot_img
KreuOpinion dhe AnalizëPolicia sipas porosisë kundrejt policisë sipas ligjit

Policia sipas porosisë kundrejt policisë sipas ligjit

Nga Lutfi Dervishi

Kur policia kthehet në një mjet në duart e pushtetit politik, atëherë nuk ka më as siguri publike, as rend ligjor dhe çalon ndjeshëm deri në mungesë, “drejtësia e pavarur”.

Policia refuzoi t’i përgjigjej kërkesës për ndihmë nga Garda e Republikës, nga Gjykata e Posaçme (GJKKO) dhe nga SPAK, duke justifikuar mosveprimin me pretendimin se turma e mbledhur para godinës nuk ishte një grup protestuesish, por “simpatizantë.” Policia duhet të japë zyrtarisht me shkrim definicionin që ajo i bën “protestuesit” dhe “simpatizantit”!

Por si veproi policia kur u arrestua ish-presidenti në Laprakë?

Një ndërhyrje spektakolare skandaloze, me civilë të armatosur dhe të maskuar, me kamera që regjistronin çdo moment dhe me një skenar që më shumë ngjante me një operacion kundër një “vrasësi të rrezikshëm”, një karteli droge, sesa me një procedurë të zakonshme ligjore. Policia tregoi se, kur do, ajo mund t’a çojë në ekstrem “ekzekutimin e vendimit të gjykatës.”

Kur nuk don, tregon se merr urdhera politike edhe pse tre institucione (Garda, Gjykata, Prokuroria) i kërkojnë ndihmë pasi ndihen të kërcënuar! Policia nuk lëviz, stoike, në vend qëndro.

Ministri i Brendshëm dha një deklaratë aq absurde, sa mund të gdhendet si një monument i logjikës së përmbysur:

“Nuk dërguam policë sepse aty kishte simpatizantë, jo protestues!” Për të qeshur dhe për të qarë.

Gjykata e Posaçme (GJKKO), me fjalë “prej pambuku”, e quajti mosreagimin e policisë të pashpjegueshëm.

Ky standard i dyfishtë nuk është thjesht një vendim operacional, është një precedent i rrezikshëm se institucionet kryesore të drejtësisë mbeten të pambrojtura, pavarësisht detyrimeve ligjore.

Policia nuk mund të justifikohet me mungesën e informacionit (ngjarja transmetohej drejtpërdrejt në një dyzinë kanalesh tekevizive), nuk mund të thotë se nuk iu kërkua ndihmë (ka shkresa për këtë), dhe nuk mund të pretendojë se nuk kishte rrezik. E vetmja arsye reale për mosveprim dhe thyerje të ligjit mund të ketë qenë urdhëri: “Mos lëvizni.”

Kjo që ndodhi nuk është hera e parë, por është rasti më skandaloz që vërteton se policia funksionon si një vegël e politikës, në vend që të jetë një organ neutral i shtetit të së drejtës.

Një polici që vepron sipas “porosisë” dhe jo sipas ligjit është një rrezik serioz për të gjithë.

Rasti i GJKKO-së dhe SPAK tregon se mosveprimi i Policisë jo vetëm që vë në rrezik fizik gjyqtarët dhe prokurorët, por gjithashtu sinjalizon se, në vend të një institucioni shtetëror, kemi një forcë të armatosur që mund të instrumentalizohet për interesa politike. Në këtë rast, policia thjesht iu bashkëngjit presionit politik mbi drejtësinë.

Nga ana tjetër, në rastin e arrestimit të Ilir Metës, duke përdorur forcë të tepërt dhe të pakuptimtë, policia dha një mesazh të qartë: “Bëjmë atë që nuk t’a pret mendja.”

Me fushatën zgjedhore në prag, kjo situatë ngre pikëpyetje serioze për rolin e policisë në zgjedhje, mjafton të kujtojmë këtu precedentë të frikshëm, si ai i Elbasanit në vitin 2021 dhe shumë të tjerë.

E vetmja rrugëdalje është një hetim i thelluar, i shpejtë dhe i plotë dhe vënien para drejtësisë të personave konkrete, urdhërdhënës, nga kupola lart deri poshtë. Përndryshe, alternativa e vetme është ajo e zakonshmja: emërimi i fajtorëve në poste më të larta, ndoshta si zëvendësministër. Kjo rrugë është e hapur prej kohësh….

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat