back to top
7.5 C
Tirana
E mërkurë, 4 Dhjetor, 2024
spot_img
KreuOpinion dhe AnalizëPolitikanët dhe pelenat

Politikanët dhe pelenat

NGA BEN ANDONI 

Pelena është një subjekt material, që shërben për të ruajtur dhe për të lehtësuar higjienën e fëmijëve të vegjël. Tashmë në kohën e konsumizmit janë zëvendësuar me materiale të tjera, që vihen dhe ndërrohen dhe nuk përdoren më. Në kuptimin poetik, dikur, pelenat tregonin adhurimin për të sapolindurit dhe ishte një fjalë e madhe respekti. Sot, është relativizuar. Ashtu si droga, vrasja, gënjeshtra, hipokrizia dhe mashtrimi. Ai që i posedon këto, shumë shpejt mund të jetë i lirë dhe i shfajësuar. Kohë konsumizmi e frikshme.

E vetmja gjë që sot nuk i afrohen dot politikanët është koncepti i së vërtetës. Megjithëse të gjitha palët politike kanë shpallur monopolin e saj, në ditët e zgjedhjeve t’i shikon flirtet dhe sesi çdo gjë harrohet për interes të pushtetit. Nëse do merrje sot dhe do i vendosje në shtampën e së vërtetës, fjalët kundër Berishës nga një sërë e atyre që po e ndjekin sot, do bënte të skuqeshin dhe ata që i ndiqnin pas këmbakëmbës e jo më pak dhe ata që nuk ua ndajnë sytë prej kronikave të TV-së. Vetë fjalët e Berishës, që paradoksalisht kanë dalë në jo pak raste, përmbajnë jo thjesht ironinë e së vërtetës, por mënyrën sesi ai ka luajtur dhe luan me të. Përballë tij, kryeministri i vendit Rama, që i drejtohet të vërtetës dhe përballjes me kundërshtarët e vet, shpesh mbetet pa tekst nga premtimet dhe ato, që blatoi për Shqipërinë në këto 12 vite. Korrupsioni sot me të është galopant, kurse njerëz të afërt, gjithnjë e më shumë të akuzuar dhe madje edhe të marrë pas hekurave. Po pse e përdorin të vërtetën, ata që nuk munden? Çfarë e mundon tek e vërteta klasën tonë politike?!

Le të thërrasim në ndihmë, politologen Hana Arendt, e cila në esenë e saj: “E vërteta dhe politika”, botuar më 25 shkurt në vitin 1967 te “NewYorker”, jep argumentimin e saj: “E parë nga këndvështrimi i politikës, e vërteta ka karakter despotik. Prandaj, ajo urrehet nga tiranët (pushtetarët), të cilët me të drejtë i frikësohen konkurrencës së një force shtrënguese, që nuk mund ta monopolizojnë dot dhe gëzon një status mjaft të pasigurt në sytë e qeverive, që mbështeten në pëlqimin dhe urrejnë detyrimin… Veçse faktet e padëshiruara posedojnë një kokëfortësi zemëruese, që asgjë nuk mund të lëvizë përveç gënjeshtrave të thjeshta. Problemi është se e vërteta faktike, si të gjitha të vërtetat e tjera, pretendon në mënyrë të detyrueshme të pranohet dhe përjashton debatin, kur debati përbën vetë thelbin e jetës politike”. Po pse nuk e pranojnë atëherë aq lehtë atë, pasi për politikanët” e vërteta është si pelenat, duhet ndërruar sa herë bëhet pis (lexo: përshtatur), në konceptin e tyre.

Dhe, pse e kanë braktisur faktin politikanët?! Pasi kanë bërë një gjë, që neve na përplaset si ironi. Për politikanët çdo kritikë është e lodhshme pasi nuk pranojnë faktet. Rama tallet dhe ironizon këdo që i tregon fakte. Berisha relativizon si magjistar, sikur asgjë s’ka ndodhur. Pa fakte çdo kritikë harrohet dhe ky është rasti i Shqipërisë dhe për ironi edhe jo vetëm në demokracitë e reja. Për Ramën nuk mjaftojnë fare për kritikë problemet e korrupsionit, që kanë vendosur pas hekurave gati një grup të tërë të njerëzve pranë tij; nivelet e ulëta të arsimit, ku testi i Pisës na nxjerr zbuluar çdo vit; informaliteti, që ka shtrirë tentakulat kudo dhe ikjes së shqiptarëve…; për Berishën dhe njerëzit e tij është kot “non-grata” dhe është punë orësh kur do të hiqet, kur të vijë në fuqi presidenti Tramp (kështu lënë të nënkuptohet të paktën me ngazëllimin e tyre PD-istët).

Sërish me Snyder, referuar esesë së tij : “Mbi Tiraninë”, në sythin: “Beso te e vërteta”, ai shkruan se: “E vërteta vdes në katër mënyra”, duke u mbështetur tek publicisti gjerman Victor Klemperer: E para me anë të armiqësisë së hapur ndaj realitetit të verifikueshëm, gjë që merr formën e prezantimit të sajesave dhe gënjeshtrave si fakte. Inceneratori është një i tillë, ashtu si modelet e kompensimit, që ofrohen sot nga Berisha për pensionistët. Mënyra e dytë është magjia shamanistike, që sipas Klemperer lidhet me përsëritjen e vazhdueshme të asaj, që e bën fantazinë mundësi reale dhe kriminalen e dëshirueshme. Lul Brava, dhe rreshti i ofendimeve ndaj të tjerëve nga PD, apo etiketimet e Ramës për Berishën dhe këdo që nuk i përshtatet, i ktheu individët në stereotipe. Mënyra e tretë është më e bukura tashmë, kur po afrohen javët e zgjedhjeve me premtimet që nuk kanë të sosur. Dhe, forma e katër lidhet me besimin e gabuar. Këtu ndalet Snyder në këpucët e Klemperer.

Historia jonë politike është e mbushur me situata të tilla dhe kjo të bën të kujtosh se dinjitarët, që e kanë paraparë këtë situatë, kanë bërë fajtor dhe vetë popujt që i mbështesin dhe i zgjedhin të korruptuarit, si bashkëpunëtorë. Fjalët i dedikohen George Orwell, njeriut që e shënjoi kohën tonë me parashikimet e tij, që kalojnë çfarë-do-lloj përfytyrimi dhe që në kohën e tij dukeshin si një fantazi e tepruar. “Me fjalë të tjera, e vërteta faktike nuk është më e qartë se opinioni, dhe kjo mund të jetë ndër arsyet që opinion mbajtësit e kanë relativisht të lehtë të diskreditojnë të vërtetën faktike, duke e konsideruar si një opinion tjetër, i referohemi Arendt”. Dhe, atëherë?! Njerëzit duhet të hapin sytë dhe të mos shpërdorohen, siç po ndodh me demokracitë e sotme kudo në Lindje, apo me Shqipërinë me të gjithë karakteristikat e saj. Vetë politikanët do na ndihmonin (e kur do ndodhë ko ndonjëherë) po të shmangeshin pak dhe të linin mundësi dhe për të tjerët, pas tyre. Po Mark Twein kishte një mendim edhe më të thjeshtë, shprehur fare lakonikisht: “Politikanët dhe pelenat duhen ndërruar shpesh…dhe për të njëjtën arsye”.

(Homo Albanicus)

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat