Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosław Sikorski, i është përgjigjur deklaratave të presidentit amerikan, Donald Trump, mbi luftën në Ukrainë, duke dhënë një “recetë të thjeshtë” për paqen.
Në një postim në rrjetin social X, Sikorski shkroi:
“Që nga viti 1994, Ukraina ka pasur garanci për pavarësinë dhe paprekshmërinë e kufijve të saj — përfshirë edhe nga Rusia.
Më 22 prill 2004, Vladimir Putin ratifikoi solemnisht Traktatin për Kufirin Rusi–Ukrainë. Mjafton vetëm t’i respektojmë ato — dhe lufta do të marrë fund”.
Kjo deklaratë erdhi pasi Trump u shpreh se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky “mund ta mbyllte luftën me Rusinë pothuajse menjëherë, nëse do të donte”, duke lënë të kuptohej se kompromisi do të ishte dorëzimi i Krimesë dhe heqja dorë nga aspiratat për NATO.
Sikorski, një nga zërat më të fortë pro-ukrainas në Evropë, theksoi se paqja nuk vjen nga lëshimet ndaj Moskës, por nga respektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare të firmosura edhe nga vetë Rusia.