Porti i Durrësit, ka qenë një nga temat ku kreu i PD-së, Sali Berisha, është ndalur në takimin me grupin parlamentar.
Ndërtimin e portit të ri ai e ka cilësuar si afera më e madhe korruptive dhe ka parlajmëruar se do të kërkojnë komision hetimor.
Deklarata e Berishës:
Të nderuar, nga të gjitha aferat korruptive, nga viti 1990 gjer sot, afera më e madhe korruptive në historinë e këtij vendi është Porti i Durrësit.
Në raport me qytetarin, ky është ndëshkimi më i madh për qytetarët shqiptarë pas ndëshkimit që u ka bërë Enver Hoxha me bunkerët shqiptarëve.
Ai, për shumë vite, 30 përqind të buxhetit e futi në bunker, por dhe sado që përpiqen, po në qoftë se e konverton me dollarin e sotëm atë shpenzim, ai mund të jetë 5, 8 miliardë dollarë të groposura, të varrosura nga një paranojak në një kohë kur shqiptarët përjetonin urinë e zgjatur.
Por pas bunkerëve, nuk ka vjedhje më të tmerrshme, më të madhe se vjedhja me Portin e Durrësit.
Ne e kemi denoncuar, jemi përpjekur me të gjitha çfarë kemi pasur në dorë ne, e kemi dorëzuar edhe në prokurori dhe kudo, në Gjykatë Kushtetuese, por kjo nuk ka të ndalur.
Ky është një krim që nuk i është bërë ndonjëherë këtij vendi.
Porti i Durrësit, i cili pa asnjë lloj vështirësie arrinte kapacitetin 4 milion ton dhe, ne lamë një tender të gatshëm për thellimin e tij gjer në ankorimin e anijeve 50 mijë tonëshe nga një kompani e fuqishme gjermane.
Porti i Durrësit është porti më natyral i Shqipërisë.
Pse? Se është në distancën më të shkurtër për të gjithë mesin e Shqipërisë, që është shumica e popullatës, siç është Porti i Vlorës porti më natyral për jugun.
Por kjo është çmim, është kosto, kjo ka ndikim direkt në çmimin e çdo gjëje që importohet.
Tani çfarë thoshte Edi Rama? Thoshte që këtë portin e ri, shqiptarët nuk do harxhojnë një qindarkë, do e ndërtojë privati.
Tani na del se shqiptarët do harxhojnë 1.3 miliardë euro për ndërtimin e portit të ri.
Përveç faktit se trojet tokësore dhe ujore, se ndërtohet Jaht Marina Durrës, trojet tokësore dhe ujore të portit shkojnë së paku 3 miliardë euro, ku sheiku Al Alabar, që investon gjithsej 70 milionë, me Edi Rama dhe botën e nëndheshme do të ndërtojnë 12.500 apartamente dhe 6 hotele superluksoze.
Berisha: Do kërkojmë Komision Hetimor parlamentar për Portin e Durrësit! Rama kërkoi të tërhiqte NATO-n në këtë aferë, por dështoi
Tani, dua të shpreh një mirënjohje të madhe medieve gjermane, e cila në mënyrë të përsëritur po qëndron.
Fat i madh që mediat qëndrojnë në avokatinë e interesave publike të shqiptarëve dhe qytetarëve europianë.
Sot, ju e keni parë dhe lexuar, ato informojnë se afera po shkon drejt Ekuadorit, drejt klaneve shqiptare të drogës në Ekuador.
Po qe kështu, është Edi Rama. Ata thonë një oligark, jo, është Edi Rama. Oligarku mund të jetë bashkëpunëtor, por këtu është Edi Rama vetë.
Ne duhet të krijojmë një komision hetimor parlamentar.
Kemi luftuar për këtë, është bërë punë, janë bërë konference, janë bërë shumë veprimtari opozitare, por tani duhet të kërkojmë një komision hetimor parlamentar për të bërë transparencë gjer në fund.
Se të gjobisësh shqiptarët me 1.3 miliardë euro, po me ato 1.3 miliardë euro hajde të dyfishojmë menjëherë pensionet.
Të gjitha pensionet.
Dhe porti ja ku është, Porti i Durrësit është një mrekulli.
Është i vlerësuar nga Sekretariati i Transportit të KE me një rëndësi strategjike.
U përpoq të tërhiqte NATO-n, por NATO nuk ra në kurthet e Edi Ramës.
Imagjinoni ku shkon mendja e sëmurë e një njeriu, tërheq NATO-n në një nga aferat më korruptive.
NATO vetë ka pasur vlerësime të qarta për Portin e Durrësit, pasi në mënyrë të përsëritur ushtritë e NATO-s kanë zbarkuar në Portin e Durrësit për manovra shumë të mëdha që janë zhvilluar në Shqipëri.
Kështu që kjo është një moment, ky komision është i një rëndësie shumë të madhe.