Enea Karakaçi, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, njoftoi se tenderi për portin e ri tregtar në Porto Romano është anuluar pasi kompania e vetme ofertuese, Archirodon, nuk dorëzoi ofertën financiare brenda afatit të përcaktuar më 9 mars.
“Kemi një tërheqje të ofertuesit të vetëm për arsye ekonomike, për shkak të rritjes së kostove totale të ndërtimit. Komisioni do të vijojë me procedurat,” tha Karakaçi. Ai shtoi se informacionet që lidhin ofertuesin me interesa ruse janë aludime.
Tenderi, me një vlerë të parashikuar prej rreth 400 milionë eurosh, konsiderohet një projekt strategjik për zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturën portuale të vendit. Ministri theksoi se çdo skenar tjetër do të parandalojë vonesat dhe ndërprerjet nga aktorë që mund të përpiqen ta frenojnë projektin.
Vendimi për pezullimin e tenderit vjen pas kërkesave të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara. Grant Van Cleeve, kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, i kishte kërkuar pak ditë më parë kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të lartë shtyrjen e garës, duke e konsideruar projektin si një vendim që merret një herë në 100 vjet.
Ndërkohë, SPAK ka nisur hetimet lidhur me procedurën e tenderit për të sqaruar çdo pasaktësi ose shkelje gjatë procesit të prokurimit.
Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist ditën e hënë, kryeministri Edi Rama e konsideroi projektin e portit të ri në Porto Romano si një ndër projektet më komplekse aktualisht në zhvillim.
Tenderi i Porto Romanos anulohet/ Archirodon nuk dorëzon ofertën financiare
Tenderi i Porto Romanos nën hetim/ SPAK ndërhyn pas shkarkimit të Ballukut



