Parlamenti i ri do të nisë punën me ligjin e koncesioneve, një temë që ka shkaktuar debate të forta në vitet e fundit për projektet e partneritetit publik-privat (PPP). Drafti i ligjit tashmë është paraqitur në kuvend, ku në relacion theksohet se synohet krijimi i një kornize transparente dhe konkurruese, e përafruar me direktivat e Bashkimit Europian, që mbron interesin publik dhe ul risqet fiskale.
Sipas dokumentit, Ministria e Ekonomisë do të orientojë politikat e përgjithshme për PPP-të, të koordinojë projektet dhe të kryesojë Komitetin e Përzgjedhjes së Projekteve. Ndërsa Ministria e Financave funksionon si “rojtar fiskal”, duke miratuar paraprakisht çdo projekt dhe çdo ndryshim kontraktor, kërkuar raporte monitorimi tremujore dhe raporte financiare vjetore të audituara, si dhe përgatit një raport vjetor mbi portofolin e PPP-ve.
Ligji i ri vendos kufizime për bashkitë dhe entet publike, të cilat nuk mund të lidhin kontrata PPP që tejkalojnë 5% të aktiveve ose të të ardhurave tatimore vjetore. Për rritjen e transparencës, krijohet Regjistri elektronik i PPP-ve, ku do të regjistrohen të gjitha kontratat. Drafti parashikon gjithashtu deklarimin e konfliktit të interesit dhe përjashtimin e subjekteve të dënuara.
Ky ligj pritet të sjellë një rregullim të qartë të partneriteteve publike-private dhe të ulë rreziqet për buxhetin publik, duke vendosur kontrolle të forta për qeverinë, bashkitë dhe entet që lidhin kontrata me sektorin privat.