back to top
18.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025
spot_img
KreuOpinion dhe AnalizëPrapaskenat e një pakti: A po e braktisin vendet arabe, Hamasin?

Prapaskenat e një pakti: A po e braktisin vendet arabe, Hamasin?

U deshën pothuajse 22 muaj luftë, nga tetori 2023 deri në korrik 2025, që arabët të bashkoheshin dhe të kërkonin, nga njëra anë, çarmatimin e Hamasit dhe nga ana tjetër përjashtimin e tij nga çdo formë e ardhshme qeverisjeje në Gaza.

Më 29 korrik, në Nju Jork u nënshkrua një deklaratë veçanërisht interesante, në kuadër të “Konferencës Ndërkombëtare të Nivelit të Lartë mbi Zgjidhjen Paqësore të Çështjes së Palestinës dhe Zbatimin e Zgjidhjes me Dy Shtete”, e mbajtur nën drejtimin e Francës dhe Arabisë Saudite. Takimi në fjalë (28-30 korrik) do të zhvillohej në qershor, por u shty për shkak të bombardimeve amerikano-izraelite në Iran.

“Deklarata e Nju Jorkut për Zgjidhjen Paqësore të Çështjes së Palestinës dhe Zbatimin e Zgjidhjes me Dy Shtete”, siç quhet zyrtarisht teksti i publikuar më 29 korrik, është me interes të veçantë, jo vetëm për shkak të asaj që thotë, por edhe për shkak të atyre që e bashkënënshkruajnë atë.

Duke filluar me nënshkruesit, vlen të përmendet se në konferencën e Nju Jorkut morën pjesë, ndër të tjerë, Turqia, Katari dhe Lidhja Arabe si dhe një numër vendesh që e kanë mbështetur Hamasin ose drejtpërdrejt (si Katari dhe Turqia) ose tërthorazi përmes tolerancës së tyre (si shumë arabë).

Gazeta “New York Times” shkruan: “Shumë udhëheqës arabë kanë pasur marrëdhënie pune me Hamasin, ndërsa ata udhëheqin popullsi thellësisht të përkushtuara ndaj kauzës palestineze. Kjo i ka bërë ata të ngurrojnë të ndërpresin publikisht lidhjet e tyre me organizatën palestineze dhe të normalizojnë marrëdhëniet e tyre me Izraelin, pavarësisht presionit nga aleatët perëndimorë si Shtetet e Bashkuara.”

Duke u nisur nga kjo “traditë” e gjatë e mbështetjes direkte ose indirekte, deklarata e Nju Jorkut thekson se “Hamasi duhet t’i japë fund sundimit të tij në Gaza dhe t’ia dorëzojë armët Autoritetit Palestinez”. Gjithashtu, deklarata thotë se “qeverisja, zbatimi i ligjit dhe siguria në të gjithë territorin palestinez duhet të jenë përgjegjësi e vetme e Autoritetit Palestinez, me mbështetjen e duhur ndërkombëtare”.

Katari, Turqia, Arabia Saudite dhe Liga Arabe (e cila ka 22 anëtarë dhe selinë e ka në Egjipt) paraqite si njerëz që bëjnë thirrje për çarmatimin e Hamasit dhe nënshtrimin e tij ndaj Autoritetit Palestinez, saktësisht 18 vjet pas ngjarjeve të vitit 2007 (lufta civile palestineze midis Fatahut dhe Hamasit që e vendosi Gazën nën kontrollin e këtij të fundit).

Gazeta britanike “Telegraph” shkruan: “Katari dhe Turqia, dy nga mbështetësit kryesorë të Hamasit, kanë mbështetur një iniciativë paqeje franceze dhe saudite që rrit ndjeshëm presionin mbi Hamasin duke i bërë thirrje atij të çarmatoset, të dorëzojë pushtetin dhe të pranojë mërgimin (largimin e tij nga Gaza). Zyrtarë të lartë të Gjirit kanë thënë se kjo shfaqje e rrallë e unitetit rajonal mund ta izolojë Hamasin deri në atë pikë sa të mos ketë zgjidhje tjetër veçse të zbatojë rregullat”.

Por nëse arabët dhe turqit sapo e kanë “braktisur” Hamasin, atëherë kush vazhdon ta mbështesë atë? Nëse organizata palestineze, e cila tashmë është dëmtuar rëndë nga sulmet izraelite të 22 muajve të fundit si në nivelin e individëve/udhëheqjes (vrasjet e Ismail Haniyeh, Yahya Sinwar, etj.) ashtu edhe në nivelin e infrastrukturës (rrjetin e tuneleve nëntokësore në Gaza që është shkatërruar kryesisht), nuk ka më mbështetës të jashtëm, atëherë çfarë është ajo që e pengon kolapsin e saj ushtarak dhe ekonomik?

“Shumica e figurave kryesore të Hamasit janë vrarë dhe qeveria e tij mezi funksionon teksa forcat izraelite kontrollojnë 70% të Gazës dhe milicitë, të armatosura nga Izraeli, pretendojnë kontrollin e 30% të mbetur. Përveç veprimeve të grupeve individuale të fragmentuara, Hamasi nuk mund të luftojë ose të sulmojë më brenda Izraelit”, – vëren britanikja “Telegraph” në analizën e saj, duke argumentuar se Hamasi “mund të detyrohet të braktisë Gazën” nëse arabët vendosin ta izolojnë atë duke siguruar në këmbim njohjen e një shteti palestinez nga evropianët para (dhe jo pas) një marrëveshjeje përfundimtare me Izraelin.

Kujtojmë se vende të tilla si Franca, Australia, Kanadaja, Finlanda, Malta, Portugalia, Britania, Zelanda e Re, etj., kanë lënë të kuptohet se mund të vazhdojnë me njohjen e një shteti palestinez në javët në vijim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që pritet në shtator.

Në anën tjetër SHBA-të dhe Izraeli nuk morën pjesë në konferencën e mbajtur midis 28 dhe 30 korrikut në ambientet e OKB-së në Nju Jork. Ato nisën një “kundërsulm”, duke pretenduar se iniciativat për të njohur një shtet palestinez të promovuara nga vende të tilla si Franca e Emmanuel Macron , në funksion të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, “shpërblejnë” Hamasin.

Megjithatë, diplomacia franceze, nga ana e saj, argumenton pikërisht të kundërtën: se ripromovimi dhe ringjallja e zgjidhjes me dy shtete mund t’i bindë arabët të ndërmarrin veprime kundër Hamasit, duke e izoluar atë. Një diplomat francez u citua të ketë thënë, sipas “Politico” se “partnerët arabë dhe myslimanë” mund të “ndërmarrin hapa” për të “izoluar Hamasin”, për ta çarmatosur atë dhe për ta përjashtuar atë nga çdo qeveri e ardhshme palestineze, nëse marrin njohjen e një shteti palestinez në “shkëmbim”. Ajo që përmendet në Deklaratën e Nju Jorkut duket se shpreh pikërisht këtë lloj qasjeje.

Megjithatë, siç ndodh në këto raste, djalli fshihet në detaje, ose më saktë në qëllimet e vërteta pas çdo gjëje që thuhet ose shkruhet. Që izolimi i Hamasit sunit të kalojë nga teoria në praktikë, vende të tilla si Katari sunit dhe Turqia sunite do të duhet të ndërmarrin veprime. Irani shiit, nga ana tjetër, i cili më parë e kishte mbështetur Hamasin, ka pësuar tashmë goditje që e kanë kufizuar ndjeshëm ndikimin e tij rajonal.

“Katari mund të kërcënojë të dëbojë udhëheqësit e Hamasit nga vilat e tyre të rehatshme në periferitë veriore të Dohas. Turqia, ku shumë udhëheqës të Hamasit kanë rezidencat, gjithashtu mund të refuzojë t’u ofrojë atyre strehim”, – shkruan Telegraph, madje duke pretenduar se zyrtarët e Katarit dhe Turqisë tani po intensifikojnë presionin ndaj Hamasit. Për shembull, javë më parë, Katari thuhet se u urdhëroi udhëheqësve të Hamasit në Doha të dorëzonin armët e tyre personale, në një përpjekje për të intensifikuar presionin.

Cili ishte reagimi i Hamasit?

Nga ana e tij, vetë Hamasi duket se e mirëpriti “Deklaratën e Nju Jorkut”, por me asteriskë. “Çdo përpjekje e bërë në nivel ndërkombëtar për të mbështetur popullin tonë palestinez dhe të drejtat e tij legjitime vlerësohet dhe mirëpritet”, – tha Hamasi në një deklaratë më 31 korrik, por hodhi poshtë – jo drejtpërdrejt dhe në mënyrë të qartë, por tërthorazi – raportet për çarmatimin e tij dhe përjashtimin. “Situata palestineze është një çështje e brendshme e popullit palestinez” dhe njohja e një shteti të pavarur palestinez duhet të jetë “e pakushtëzuar”, tha Hamasi në të njëjtën deklaratë.

Ndërkohë, i dërguari special i Presidentit të SHBA-së Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff , ishte në Gaza dhe Tel Aviv gjatë dy ditëve të para të gushtit. Sipas Haaretz, Witkoff thuhet se u tha familjeve të pengjeve izraelite se Hamasi po “përgatitej për demilitarizim”.

Hamasi u përgjigj shpejt me një deklaratë të re më 2 gusht. “Rezistenca e armatosur është një e drejtë kombëtare dhe legjitime për sa kohë që zgjat pushtimi izraelit”, sipas Al Jazeera-s, duke vendosur si qëllim të tij “krijimin e një shteti palestinez sovran dhe të pavarur me Jerusalemin si kryeqytet”.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat