Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara nga 5 shkurti, ku do të takohet me zyrtarë amerikanë dhe do ta mbajë një fjalim në Lutjet e Mëngjesit në Uashington.
Presidenca e Kosovës njoftoi se Osmani ndodhet në SHBA me ftesë të një grupi kongresistësh amerikanë, për të marrë pjesë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit, si dhe për të mbajtur fjalim në njërën nga ngjarjet kryesore të këtij organizimi të Kongresit amerikan.
“Me këtë rast, ajo do të flasë për rrugëtimin e popullit të Kosovës nga ditët më të vështira deri te sukseset e sotme, duke theksuar besimin e pashoq dhe qëndrueshmërinë e qytetarëve tanë”, thuhet në njoftim.
Lutjet e Mëngjesit mbahen çdo vit, zakonisht të enjten e parë të shkurtit, dhe marrin pjesë politikanë të lartë amerikanë dhe mysafirë të huaj. Ngjarja përcillet me një fjalim nga presidenti i SHBA-së.
Presidenca tha gjithashtu se Osmani do të zhvillojë gjithashtu takime me kongresistë amerikanë dhe zyrtarë të administratës së SHBA-së, “me fokus në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe avancimin e aspiratave euroatlantike të vendit tonë”.
Më herët Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi në uebsajtin e vet se Osmani do të takohet me Louis L. Bonon, zyrtarin e lartë në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike.
Bono e mori detyrën më 20 janar, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, e filloi zyrtarisht mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë dhe Osmani do të jetë udhëheqësja e parë kosovare që takohet me një zyrtar të administratës Trump.
Bono është anëtar i Shërbimit të Lartë të Jashtëm dhe së fundmi ka shërbyer si këshilltar i lartë për Negociatat në Kaukaz.
Ai ka punuar edhe në Ambasadën amerikane në Berlin, si dhe ka qenë zëvendëspërfaqësues i përhershëm në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Vjenë dhe në Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike.
Osmani, e cila e kishte uruar Trumpin pasi i fitoi zgjedhjet në nëntor, në fjalimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës në fund të vitit të kaluar bëri thirrje para deputetëve për ruajtjen e marrëdhënieve me vendet aleate, duke thënë se cenimi i raporteve me këto vende e cenon vetë Kosovën.
Ajo tha asokohe se aleanca e Kosovës me vendet e tjera është “më e madhe dhe më e rëndësishme se cilido prej nesh si politikan”.
Osmani i bëri ato thirrje në një kohë kur Qeveria e Kosovës po kritikohej nga bashkësia ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara, për veprime të “njëanshme dhe të pakoordinuara” në veriun e banuar me shumicë serbe, të cilat lidheshin me zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, heqjen e dinarit serb nga përdorimi apo mbylljen e institucioneve serbe.
Vizita e Osmanit në DASH pason deklaratat e dy ditëve më parë të të dërguarit amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell, se Shteteve të Bashkuara u duhen partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërsa Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sipas tij, nuk është e tillë.
Grenell – ish-ambasador amerikan në Berlin – i bëri këto kritika në rrjetin social X, më pak se një javë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë më 9 shkurt.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi kabinetin e kryeministrit Kurti, në lidhje me këto komente, por nuk mori përgjigje.
Kurti i ka justifikuar ato veprime si hapa drejt shtrirjes së sundimit të ligjit në veri dhe ka thënë se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
James O’Brien, i cili në administratën e paraardhësit të Trumpit, Joe Biden, ka shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit, ka thënë se Kurti, me veprime të tilla, ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.
Edhe pas kësaj deklarate, Kurti ka këmbëngulur se SHBA-ja mbetet partnerja më e rëndësishme e Kosovës./REL