Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka deklaruar se institucionet gjyqësore në vend nuk janë nën ndikim politik dhe se Reforma në Drejtësi ka ndihmuar në shkëputjen e lidhjeve me politikën.
Në një intervistë televizive, Sadushi tha se presioni politik ekziston si koncept, por është detyrë e çdo gjyqtari që ta shmangë dhe të garantojë pavarësinë në vendimmarrje.
“Presioni politik shmanget nga gjyqtari ose duhet të shmanget nga vetë gjyqtari dhe mundësia për t’iu shmangur ekziston. Sot ne kemi një sistem emërimi, promovimi dhe procedimi disiplinor që është i shkëputur nga politika dhe mjafton të evidentosh këtë”, u shpreh Sadushi.
Sipas kreut të Gjykatës së Lartë, sistemi i ri ka sjellë garanci për një drejtësi më të pavarur. Ai shtoi se gjyqtarët duhet të jenë të vetëdijshëm për misionin që kanë dhe të qëndrojnë larg ndikimeve të çdo lloji.
“Kategoria e magjistratëve kanë detyrimin për të qenë sa më larg presionit dhe duhet të ndihen të tillë. Presioni do të jetë i vazhdueshëm, puna është si do ta përballosh ti këtë presion”, theksoi Sadushi.
I pyetur nëse vendimet e gjykatave janë ndikuar nga politika, ai tha se këtë e përgënjeshtrojnë vetë vendimet gjyqësore të publikuara.
“Presioni tek unë apo te kolegët e mi nuk është një presion që ndikon në vendimmarrje. Mjafton të shikoni dhe lexoni të gjitha vendimet e Gjykatës së Lartë për të kuptuar nëse ka presion apo jo”, tha ai.
Sadushi vlerësoi gjithashtu rezultatet e Reformës në Drejtësi, duke theksuar se sistemi i ri ka krijuar mundësinë reale për të shkëputur gjyqësorin nga ndikimet politike.