back to top
12.5 C
Tirana
E shtunë, 22 Shkurt, 2025
spot_img
KreuAktualitetPolitikaPrimaret/ Berisha: Kandidaturat e shumta, dëshmi e besimit që kanë shqiptarët te...

Primaret/ Berisha: Kandidaturat e shumta, dëshmi e besimit që kanë shqiptarët te PD

Në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike, kryetari Sali Berisha, falënderoi të gjithë rëndësishëm kandidatët që janë regjistruar për të marrë pjesë procesin e primareve. Berisha e cilësoi këtë proces si themelor për përfaqësimin e qytetarëve në Kuvendin e Shqipërisë, dhe si një dëshmi e besimit që ata kanë ndaj PD. Gjatë fjalës së tij, ai ndau gjithashtu piketat kryesore të programit të PD, duke e cilësuar atë si një zgjidhje për sfidat e akumuluara në 12 vitet e fundit. Programi synon të çlirojë vendin nga varfëria e skajshme përmes një shpërndarjeje të re të të ardhurave buxhetore. Rritja e pagës minimale, vendosja e minimumit jetik dhe mbështetja financiare për pensionistët janë disa nga masat kyçe të tij. Berisha nënvizoi se ky program do të hapë një epokë të re për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha ka prezantuar programin e Partisë Demokratike, ku ‘Shqipëria prodhuese’ do të jetë motoja. ‘Ne arrijmë të ulim me shpejtësi gjobën që shqiptarët paguajnë për kujdesin e tyre shëndetësor. Statistikat e Bankës Botërore faktojnë se shqiptarët paguajnë më shumë se çdo popull tjetër në Europë, paguajnë 62 përqind të kësaj fature, në një kohë kur ajo ishte premtuar falas’- u shpreh Berisha.

Në mbledhjen e kryesisë, lideri i demokratëve Sali Berisha theksoi se, Edi Rama do hyjë në histori si Çubrilloviçi shqipfolës. ‘Ose, – tha Berisha në mbledhjen e kryesisë së PD, – më mirë si njeriu që zbatoi me fanatizëm mbi shqiptarët platformën e Çubrilloviçit’. ‘Në epiqendër ne kemi familjen, konsolidimin e saj, suksesin e saj’, tha kreu demokrat përballë anëtarëve të kryesisë.

Në fjalën e tij kreu i PD-së, Sali Berisha, lëshoi akuzat të tjera ndaj Edi Ramës dhe lidhjeve të tij me Xhorxh Sorosin. Ai e cilësoi Ramën si kryeministrin më të damkosur në Europë, duke e akuzuar për veprime kundër opozitës dhe për përdorimin e mediave ndërkombëtare për sulme politike. Berisha iu referua një artikulli të botuar në ‘Neë York Times’, që sipas tij ishte i sponsorizuar nga Rama për ta goditur personalisht. Megjithatë, ai argumentoi se kjo përpjekje i ishte kthyer në bumerang, pasi një nga strategët kryesorë të fushatës së Donald Trump kishte deklaruar mbështetjen e tij për të. Sipas Berishës, ky ishte një sinjal i qartë se akuzat ndaj tij janë tërësisht politike.

Në vijim të fjalës së tij, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, solli në vëmendje një deklaratë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, mbi rrezikun e armikut të brendshëm për Shtetet e Bashkuara. Ai e krahasoi këtë deklaratë me një nga pohimet historike të Mihail Gorbaçovit, duke e cilësuar atë si një moment kyç në rënien e Bashkimit Sovjetik.

Berisha argumentoi se establishmenti politik, përfshirë zyrtarët më të lartë, përbën një kërcënim të madh për lirinë dhe demokracinë. Ai përmendi si shembull rastin e Antony Blinken dhe censurën politike, të cilën e cilësoi si një mjet për të kontrolluar opinionin publik. Sipas tij, kjo valë censurimi ka prekur jo vetëm SHBA-në, por edhe Europën, duke ndikuar në kufizimin e lirisë së medias. Berisha gjithashtu theksoi se fuqia e një kombi qëndron tek liria e qytetarëve të tij dhe se manipulimi politik është një rrezik serioz për demokracinë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e akuzoi kryeministrin Edi Rama si një kopje të Xhorxh Sorosit dhe si përfaqësues të praktikave antidemokratike në Shqipëri. Ai e cilësoi thirrjen për një antimiting si një përpjekje për të mbrojtur pushtetin përmes administratës dhe patronazhistëve, duke e konsideruar këtë një krim elektoral dhe shtetëror.

Berisha risolli momente nga e kaluara, duke pretenduar se Rama dhe familja e tij ishin fshehur në tunelet e Zall Herrit nga frika e një revolte popullore. Ai e akuzoi kryeministrin për manipulim të mediave dhe përpjekje për të fshehur lidhjet e tij me Sorosin, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të izolimit të tij politik. Sipas Berishës, Rama tashmë është damkosur, si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në kryesi, dha një mesazh të qartë mbi situatën aktuale politike dhe zgjedhjet e ardhshme. Ai theksoi se Shqipëria po përballet me një qeverisje të diskredituar dhe të zhytur në afera korruptive. Berisha solli në vëmendje pakënaqësinë e qytetarëve, duke veçuar rastin e Taulant Ballës dhe refuzimin e tij nga vetë banorët e Çermenikës.

Ai premtoi se projektet e Partisë Demokratike do të sjellin transformim dhe zhvillim të vërtetë për këtë zonë dhe për mbarë vendin. Duke iu referuar skandaleve të fundit, Berisha akuzoi qeverinë për korrupsion masiv dhe lidhje të dyshimta me fondet ndërkombëtare. Ai vuri theksin te rëndësia e mbrojtjes së së vërtetës dhe programit të Partisë Demokratike për të ardhmen e Shqipërisë. Berisha nënvizoi vizionin e tij për një Shqipëri dixhitale dhe një ekonomi të përparuar, duke premtuar një angazhim serioz në këtë drejtim.

FJALA E PLOTE:

Sot në këtë mbledhje ne miratojmë kandidaturat e qindra e qindra aktivistëve, drejtuesve, demokratëve, mbështetësve tanë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë në procesin e primareve, proces ky nga themelorët për të qenë kandidatë për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë nga PD.

Unë kam një falënderim shumë të veçantë për secilin.

Të gjithë ata që morën pjesë në këtë proces.

Besimin që ata shprehën tek PD.

Vendosmërinë e tyre për të vazhduar, apo ndërtuar sipas rastit, ëndrrën e tyre më të bukur politike në gjirin e kësaj partie.

Ka pasur një numër të madh kërkesash, kandidaturash dhe kjo është dëshmi e shkallës së lartë të besimit që kanë shqiptarët tek PD.

Por para se të kalojmë në trajtimin e listave të përcjella nga degët e PD të Shqipërisë, duhet të ndalem në disa momente më kryesore, me zhvillimet më të rëndësishme.

Mendoj se ndër zhvillimet më të rëndësishme dhe me interesin më të madh për shqiptarët ka qenë paraqitja e programit të PD për çështjet më thelbësore të qytetarëve shqiptarë.

Program, i cili jo vetëm që u jep përgjigje problemeve të rënda të akumuluara këto 12 vite, por u jep përgjigjen më të shkëlqyer, u jep përgjigje dhe zgjidhje më të mirë në interesin e çdo qytetari problemeve madhore me të cilat përballet individi dhe shoqëria shqiptare sot.

Ky program synon ndarjen me shpejtësi të Shqipërisë nga varfëria e skajshme. Me shpejtësi të rrufeshme, duke u angazhuar në një shpërndarje të re të të ardhurave buxhetore.

Ky program pra me vendosjen e minimumit jetik për çdo qytetar shqiptar, vendosjen e rrogës minimale 500 euro, 25 përqind më e lartë se kjo që është sot, vendosjen e kartës së konsumatorit që përbëjnë 450 euro për çdo pensionist në vit dhe për ata që janë në minimumin jetik.

Uljen e ndjeshme të çmimit të energjisë, të ujit.

Ky program i jep një hapësirë të re shumë më të madhe lirisë ekonomike, lirisë së biznesit.

Pra, të themi të vërtetën, programi i PD tejkalon për mirë edhe parashikimet e atyre që përfitojnë prej tij.

Taksa e pronës do zbresë 5 herë. Do ulet me 500 përqind.

Çmimi i energjisë për bizneset do ulet me 300 përqind. Do ulet tre herë.

Çmimi i naftës do ulet me 40 përqind.

Tatimi mbi të ardhurat zbret në 10 përqind.

Të vetëpunësuarit që paguajnë taksë edhe si punëdhënës dhe si punëmarrës, do kenë vetëm një.

Do nxitet prodhimi me një seri stimujsh fiskalë dhe të tjerë. Shqipëria prodhuese do të jetë motoja jonë.

Midis Shqipërisë hotel dhe Shqipërisë prodhuese, ne jemi pa diskutim për Shqipërinë prodhuese.

Shqipëria turistike është pa mëdyshje një objektiv që do konsolidohet. Por kurrë një turizëm i stilit kolonial, i llojit ku qytetari shqiptar përfiton 4 euro për turist dhe shpenzon 230 euro për turist.

Kjo nuk ndodh më! Kjo merr fund.

Çfarë do të thotë? Do të thotë formalizim.

Cilido që ndjek statistikën turistike, rezulton se informaliteti i këtij sektori në Shqipëri është 8 herë gjer në 10 herë më i madh se në Kroaci dhe Mal të Zi. Prandaj janë dhe ato shifra.

Një program i shkëlqyer për sistemin shëndetësor.

Ne arrijmë të ulim me shpejtësi gjobën që shqiptarët paguajnë për kujdesin e tyre shëndetësor. Statistikat e Bankës Botërore faktojnë se shqiptarët paguajnë më shumë se çdo popull tjetër në Europë, paguajnë 62 përqind të kësaj fature, në një kohë kur ajo ishte premtuar falas.

Ne nuk premtojmë shëndetësi falas, sepse premtimi i shëndetësisë falas solli këtë gjendje dramatike të këtij sistemi sot.

Por ne premtojmë absolutisht një kujdes shëndetësor cilësor. Premtojmë një dyfishim të buxhetit për kujdesin shëndetësor dhe jo të qytetarëve, por të buxhetit të shtetit.

Premtojmë dhe garantojmë të njëjtat standarde mjekimi dhe ilaçesh si në vendet e tjera të rajonit me qëllimin më të mirë për të ecur më lart. Nuk mund të mungojnë kurrë më ilaçet siç ndodh sot.

Ne angazhohemi për një sistem, dhe ju e patë, programi për arsimin ka pasur një jehonë shumë të veçantë. Arsimi në rrokullisje të madhe. Arsimin do e kthejmë një ngjitje të madhe.

Ne e kthyem njëherë. Në vitet 2005-2013, arsimi pësoi një rritje vertikale në testin e PISA-s. Kjo rritje u rikthye dhe sot është në rënie vertikale.

Ne me dyfishimin e buxhetit për arsimin, modernizimin e tij, të teknologjisë së kurrikulave dhe gjitha të tjerat, do bëjmë që arsimi ynë të nisë përsëri ngjitjen e madhe në këtë garë.

Rreth 40 përqind e popullatës jeton në fshat në mjerim të vërtetë, në zbrazje masive, në braktisje masive.

PD qëndron e vendosur së pari nuk do ketë pensione në fshat nën 200 euro. Merr fund. Ajo që kemi thënë për minimumin jetik prej 200 euro që çdo pension nën 200 euro, do bëhet 200 euro.

Dhe unë ju them që pensionet e fshatit janë mesatarisht 120 euro.

Përveç kësaj, do vendoset sistemi i subvencioneve për njësi prodhimi, subvencioneve për numër krerësh dhe për çdo pemë, për çdo bimë të mbjellë.

Rikthehen projektet e mëdha të vaditjes, të kullimit. Bujqësia do të jetë një objektiv madhor i përpjekjeve tona.

Nuk e lashë pa qëllim familjen sepse pati një debat programi shumë të mirë mbrëmë.

Nuk mund të mohohet, plaga më e madhe e këtij vendi sot është boshatisja, shpopullimi.

Edi Rama do hyjë në histori si Çubrilloviçi shqipfolës. Ose më mirë si njeriu që zbatoi me fanatizëm mbi shqiptarët platformën e Çubrilloviçit.

Në epiqendër ne kemi familjen, konsolidimin e saj, suksesin e saj.

Një seri masash janë përcaktuar dhe do përcaktohen në mënyrë që familja të luajë të gjithë funksionet e saj në një shoqëri të lirë.

Do bëjmë gjithçka për të nxitur fuqishëm rritjen demografike të Shqipërisë.

Do ketë bonus për fëmijën e parë dhe të dytë që do vendoset fill tre muajt e parë dhe dora-dorës do kalohet në sistemin ku fëmija e tretë paguhet nga shteti nga lindja deri në moshën 23-vjeçare.

Do bëhet gjithçka për rikthimin e emigrantëve.

Pra, në dallim nga vajet e përditshme dhe të përnatshme, kacafytjet e krahut tjetër, ne jemi përqendruar totalisht në përpunimin e alternativës tonë pas zgjedhjeve të 11 majit.

Problematikat tona më kryesore lidhen me qytetarin.

Edi Rama është i shkallmuar. Siç e shihni është i shkallmuar, por e ka thënë populli shqiptar në të gjitha kohërat, cili-viu-viu, kush ia bën, ia bën vetiu. Kjo është e vërteta.

Nuk e shndërruam ne atë në kukull të Xhorxh Sorosit. E bëri zgjidhjen vetë ai.

Ne luftuam me të gjithë përpjekjet tona kundër doktrinës së Xhorxh Sorosit të globalizimit, të drogës, të censurës dhe me radhë.

Edi Rama sot është njeriu më i damkosur. Është kryeministri më i damkosur në Europë si kukull e Xhorxh Sorosit.

Dy ditë më parë ai pagoi, vetë apo nëpërmjet të tjerëve, 150 mijë a sa mund të ketë kushtuar ajo hapësira në Nju Jork Tajms kundër meje.

Iu kthye në bumerang. Se dje, njëri nga dy kryestrategët e rikthimit më madhështor, më të jashtëzakonshëm në histori, rikthimit të Donald Trump, i deklaronte Nju Jork Tajmsit se në Shqipëri kam shkuar të vazhdoj punën e Donald Trump për të bërë Shqipërinë të madhe përsëri. Dhe se, Edi Rama është thjesht një kukull e Xhorxh Sorosit dhe se akuzat ndaj Sali Berishës janë mirëfilltas politike.

Karma është ashtu siç e do ai vetë.

Se një ditë para, artikull i sponsorizuar thoshte. Ky tjetri nuk ishte artikull i sponsorizuar, ky tjetri ishte artikulli i të vërtetave dhe i doli.

Të nderuar të pranishëm, presidenti Donald Trump ka bërë një deklaratë.

Një deklaratë, të cilën jo të gjithë e kuptuan në gjithë dimensionin e saj, kur tha se armiku më i rrezikshëm për Amerikën është armiku i brendshëm.

Tani dua t’u them se në jetën time, unë këtë deklaratë e krahasoj me një deklaratë të Mihal Gorbaçovit, i cili në vitin 1989 deklaroi se Rusia është sot toka e askujt.

Me këtë deklaratë, Gorbaçov tregoi se ishte gjeniu, gjiganti i guximit njerëzor sepse në atë kohë Rusia ishte në kthetrat e mamuthit politik më të fuqishme që ishte Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik.

Por ky burrë me një kurajo mbinjerëzore i tha mamuthit se Rusia nuk është e jotja dhe se Rusia nuk ishte as e rusëve, as e popullit rus.

Mbi këtë tezë, mbi këtë bazë u shkërmoq perandoria e të keqes, Bashkimi Sovjetik dhe Rusia iu kthye rusëve, Kazakistani, kazakëve e me radhë.

Pra, ajo ishte një deklaratë gjeniale.

E vërteta është se më gjeniale është deklarata e Donald Trump se armiku më i rrezikshëm për SHBA është armiku i brendshëm.

Pra, cili është ky armik i brendshëm? Ky armik i brendshëm qëndron në establishment, në zyrat më të larta, më të rëndësishme.

Ky armik i brendshëm ishte kryediplomati i Amerikës dhe i botës, që kishte marrë, kishte mbledhur 51 firma për të mashtruar kombin amerikan dhe për t’i thënë se laptopi nuk ishte i Hunter Biden. Se Hunter Biden nuk kishte pasur kurrë laptop në jetën e tij, por e kishin lënë rusët tek një berber laptopin.

Dhe ky njeri, pasi u vërtetua nga hetimi i Kongresit se kishte kryer këtë akt, nuk kishte minimumin e integritetit të jepte dorëheqjen. Nuk ndjehej e turpëruar për aktin që kishte kryer.

Nuk e marr këtu për raportet e mia me Antony Blinken, por e marr se nuk është kuptuar sa duhet dimensioni i kësaj deklarate të Donald Trump.

Nuk është kuptuar sa duhet se çfarë rreziku të tmerrshëm paraqet për kombin e lirë censura.

Censurën amerikanëve nuk ua vendosi kinezi, as rusi. Jo mor jo. E vendosi ekstremi i majtë sepse donte të mbante me çdo kusht pushtetin.

Po ky atëherë është armik i lirisë se pushteti nuk mbahet me çdo kusht. Ti duhet të ndjekësh disa rregulla për të mbajtur gjallë demokracinë.

Dhe çfarë gjetën? Gjetën se ajo zyra e famshme e censurës që të kujtonte psikologjinë talebane, ajo që thoshte se po merrem me dezinformimet ruse dhe kineze, ajo merret me portalet dhe mediat e kundërshtarit. Për t’i censuruar ato.

Kjo valë censure fryu edhe në Europë. Kjo erë censure fryu në Europë. Mbyllën televizione. Vihen nën kontroll të plotë siç është këtu.

Po pse e thotë armiku më i rrezikshëm? Sepse dallimi midis forcës së njeriut të lirë dhe forcës së njeriut jo të lirë është dallim si nata me ditën.

Vendin e bëjnë të sigurt njerëzit e lirë. Amerika ka fuqinë më të pakrahasueshme në çdo aspekt. Por kur përfundon në dorën e njeriut që firmos dhe fal familjarët e tij sikur në pushtet ka ardhur Xhingis Khani, që nuk ndodh kurrë.

Amerika shpëtoi se atë e shpëtoi Zoti dhe ai po e shpëton Amerikën.

Mirëpo problemi është i yni se ne kemi kopjen, kemi kukullën e Xhorxh Sorosit dhe të këtyre praktikave në Shqipëri, kemi Edi Ramën, i cili në vend që të kuptojë dhe të largohet menjëherë nga qeveria, të japë dorëheqjen, vazhdon me praktika antidemokratike, antishqiptare, antiperëndimore.

Sot thërret antimiting.

Thërret bashkinë në antimiting në ditën e rrëzimit të shtatores së diktatorit.

U them unë ju, ia ka mbathur me autoblinda nga frika se sulmohet Blloku. Me gjithë familjen e tij kanë përfunduar në tunelet e Zall Herrit atë ditë. I gjithë Blloku. Blloku ishte bosh.

Dhe ky tani mbledh punonjësit, patronazhistët e administratës, që emër për emër do regjistrohen, i garantoj se pjesëmarrja në atë krim. Krim elektoral, krim shtetëror.

Sepse ai po u thërret ju të dashur punonjës, vetëm për të mbrojtur monumentin e tij të korrupsionit dhe drogës.

Nuk po u thërret për asnjë interes tjetër. Dhe mendon se në këtë mënyrë do e kapërcejë.

Por tani ai është damkosur.

U nis në Mynih, më dha një paralajmërim mua, do e shohësh më tha. Çfarë të shoh? Njerëzit nuk donin as të takonin, por as të fotografoheshin me të. Kjo është e vërteta.

Tani, e thashë edhe njëherë, i pastroi mediat nga fotografitë me Sorosin dhe nxjerr mediat e tij që nuk i kam pasur. Ai i ka pasur të postuara një nga një të gjitha.

Po Aleksi ia ktheu. Populli po ma kërkon këtë me ty. Foli ai në emër të popullit.

Pra, në këtë atmosferë po shkohet drejt zgjedhjeve.

E vërteta është që në fillim kisha theksuar se ky ka njerëzit më të damkosur, më të diskredituar.

A mund të imagjinoni ju që Taulant Ballën ta përzënë nga Çermenika?

Që e përzënë nga Miçigani, kjo është normale. Apo nga Breshia apo zona të tjera. E përzunë nga Çermenika. Po, ik i thanë, mos vë këmbë këtu se na ke mashtruar në çdo gjë.

Dhe unë i përgëzoj banorët e Çermenikës dhe i garantoj se PD, projektet e transformimit të Çermenikës do i bëjë realitet.

Dhe ata e dinë mirë se sa punuam ne për infrastrukturën e Çermenikës, që është një zonë panoramike e hatashme.

Pra, këta kanë një diskreditim të madh.

Lubi Balluku tani fshihet. Fshihet, se pasi e identifikuan mbarë shqiptarë si lubi në tendera dhe prokurime, dhe si Anesta Angoni, tani e di që e ka radhën vetë.

Skandali i fundit me USAID po merr dimensione gjithnjë e më të mëdha. Ka marrë 10 milionë Delina, del e thotë do më çojë në gjyq.

Po ata i kanë dokumente amerikane. Kurse ajo tjetra nuk ndjehet. Këta po kundërmojnë në mbarë botën.

Dhe kjo e ka përmbysur klimën në Shqipëri.

Shqiptarët konstatojnë se ne u kemi thënë të vërteta.

Ne nuk pretendojmë, PD nuk është profeti. Por këto të vërteta i ka thënë në mënyrë të vazhdueshme. I ka mbrojtur.

Tani ajo do mbrojë të vërteta.

Të vërtetat që do mbrojë janë ato që i interesojnë qytetarit. Ato që lidhen me portofolin e tij, me familjen e tij, me shëndetin e tij, me infrastrukturën e tij, me të ardhmen e tij.

Ne do kemi një program fantastik, ua them unë ju se këto që citova më sipër janë të themi ndërhyrjet emergjente. Po Shqipëria do jetë Shqipëria e high-techut, Shqipëria e Black Chain, Shqipëria e Internetit 3, Shqipëria dixhitale në thellësitë e saj si kushtet themelore për ekzistencën e Shqipërisë.

Po punojmë me grupe në të gjitha këto fusha.

Shqipëria do bëhet një epiqendër të database-ve më të mëdha. Ishte njëherë në fokusin e Shtëpisë së Bardhë. Marrëveshja 12 miliardë e premtuar, një nga përfituesit kryesore ishte edhe Shqipëria me port, me hekurudha, me të gjitha.

Kështu që mos të mendojë kush se programi ynë është vetëm për kafshatën.

Programi ynë sa ç’është për kafshatën, është për të ardhmen.

Ndaj dhe duhet një angazhim i madh për fitoren më të thellë me datën 11 maj kundër armikut më të rrezikshëm të kombit shqiptar, që është armiku i brendshëm.

I tha ai, Chris LaCivita i tha Nju Jork Tajms, e kanë persekutuar njëlloj si Donald Trump Sali Berishën. Kur them Sali Berishën, PD-në, opozitën… ia deklaroi dje.

Kështu që të çlirojmë Shqipërinë, ët shpëtojmë Shqipërinë nga ky armik primitiv, i egër.

Është mision dhe duhet të ndjehemi fatlumë që po na jepet mundësia të shpëtojmë shqiptarët nga narkodiktatura, forma më e keqe e regjimeve në të gjitha kohërat.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat