Deputeti i Partisë Demokratike, Helidon Bushati ka njoftuar tërheqjen nga gara për një mandat të ri në zgjedhjet e 11 majit.
Përmes një njoftimi në faqen e tij në Facebook Bushati, thekson se ky nuk është thjeshtë një vendim personal, por është një akt përgjegjësie politike dhe morale.
Postimi i plotë:
Të dashur miq,
Partia Demokratike është përballë sfidave të mëdha. Kjo forcë politike ka arritur të kapërcejë momente të vështira që e vunë deri në provën e ekzistencës. Sot, demokratët janë të bashkuar dhe po përgatiten për zgjedhjet jetike për vendin, ato të 11 Majit.
Përveç angazhimit, koha është edhe për reflektim.
Së shpejti, Partia Demokratike do të hyjë në një proces të rëndësishëm, atë të primareve.
Personal, kam zgjedhur të mos marr pjesë në primaret dhe, si rrjedhojë, heq dorë nga aspirata për të qenë kandidat për deputet. Ky nuk është thjesht një vendim personal, por një akt përgjegjësie politike dhe morale.
Megjithatë, ky vendim nuk do të thotë tërheqje nga rrugëtimi ynë i përbashkët. Përkundrazi, do të jem aty ku kam qenë gjithmonë, pranë Partisë Demokratike dhe demokratëve.
Koherent në bindjet e mia, i palëkundur në vlerat për të cilat kemi luftuar, dhe plotësisht i angazhuar për ringritjen dhe fitoren që synojmë të gjithë për Partinë Demokratike dhe liderin e saj, Sali Berisha.
Jam i bindur, më shumë se kurrë, se MODERNIZIMI dhe PERBASHKIMI janë çelësi i fitores.
Ja kemi borxh fëmijëve tanë, ja kemi borxh historisë!
Së bashku drejt fitores!