Izraeli ka reaguar për herë të parë pas prishjes së armëpushimit në Gaza me Hamasin, teksa u shpreh se “nuk kishin zgjidhje tjetër”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme izraelite, Oren Marmorstein tha se Izraeli filloi sulmet në Gaza sepse “Hamasi refuzoi vazhdimisht propozimin për të zgjatur armëpushimin dhe për të liruar pengjet”.
“Nga kjo pikë e tutje, Izraeli do të veprojë kundër Hamasit me intensitet ushtarak në rritje,” theksoi ai, duke i bërë jehonë një deklarate të mëparshme nga zyra e kryeministrit.
Marmorstein u shpreh se ata më parë i thanë po propozimeve konkrete për zgjatjen e armëpushimit, por “Hamasi tha jo, kështu që nuk kishim zgjidhje tjetër”.
I pyetur nëse bisedimet për armëpushim janë “të vdekura” për shkak të këtyre sulmeve, ai thotë se armëpushimi përfundoi dy javë e gjysmë më parë.
“Armëpushimi u ra dakord për një periudhë 42-ditore. Sipas marrëveshjes, nuk ka kalim automatik nga një fazë në tjetrën,” thotë ai.