Top Channel ka siguruar audion gjatë mbledhjes së posaçme të gjyqtarëve, e cila është fshehur nga procesverbali zyrtar i Gjykatës së Lartë.
Anisa Kulo (kancelarja): “Përsa i përket një fletë votimi, ku një nga shkaqet e pavlefshmërisë së votimit është çdo shenjë tjetër përveç shenjës së votimit, do të konsiderohet e pavlefshme. Komisioni e vlerëson të pavlefshme këtë fletë votimi, dhe për hir të transparencës, te numri 2 është bërë një shenjë tjetër përveç shenjës së votimit.”
Gjyqtarët: “E vlefshme, është po te numri 2 shenja.”
Anisa Kulo (kancelarja): “Po, meqë është një nga shkaqet përveç shenjave, asnjë lloj shënimi tjetër.”
Sokol Sadushi: “Ju lutem, e ka komisioni fletën në dorë, asnjë nga anëtarët nuk ka të drejtë të konsultohet. Komisioni le të vendosë. Atëherë opinioni… vendimi juaj?”
Anisa Kulo (kancelarja): “Vendimi ynë është të konsiderohet i pavlefshëm kjo fletë votimi!”
Përzgjedhja e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese është kthyer nga një proces ligjor në një çështje që sfidon besueshmërinë e sistemit gjyqësor me shkelje të rënda. Manipulimi i procesverbalit nga Gjykata e Lartë gjatë procesit të votimit më 30 shtator dhe shpallja e një vote të pavlefshme ndikoi në ndryshimin e rezultatit të garës.
Sipas dokumenteve zyrtare, fitues u shpall gjyqtari Asim Vokshi me 6 vota, ndonëse kandidatja Naureda Llagami mori 3 vota më shumë se ai. Vendimtare ishte pavlefshmëria e një flete votimi, që i pamundësoi Llagamit arritjen e shumicës së 3/5 të votave të nevojshme për emërimin.
Top Channel publikoi audion dhe procesverbalin e mbledhjes, në të cilat ka mospërputhje. Ndonëse gjykata e lartë pretendon se të gjitha dokumentet që ne disponojmë janë zyrtare, ajo nuk e pranon në asnjë moment mospërputhjen midis fakteve.
Në regjistrim dëgjohet kancelarja Anisa Kulo që shpall pavlefshmërinë e fletës, ndërsa disa gjyqtarë kundërshtojnë duke e quajtur votën të vlefshme. Kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi dëgjohet kur ndërhyn, ndalon debatin dhe ia lë vendimmarrjen komisionit teknik të sekretariatit.
Por në zbardhjen e mbledhjes, mungojnë deklaratat kundërshtuese si dhe nuk është pasqyruar ndërhyrja e kryetarit që ndaloi diskutimin, ndërkohë që në audio zërat dëgjohen qartë. Boshllëku midis audios të regjistruar dhe shkresës zyrtare ngre pikëpyetje për integritetin e procesit dhe ka ngritur dyshime për transparencën e dokumentimit të mbledhjes.
Çështja tashmë është në duart e Gjykatës Kushtetuese, e cila pritet të vendosë nëse do të pranojë ose jo pavlefshmërinë e votës. Në padinë e Naureda Llagamit kërkohet njohja e rezultatit në favor të saj, pasi e cilëson procedurën e ndjekur nga komisioni teknik si të paligjshme dhe jashtë kompetencave, duke theksuar se vetëm Mbledhja e Posaçme e Gjyqtarëve ka të drejtë të vendosë për pavlefshmërinë e një vote.
Ky është një rast precedent, sepse do të përcaktojë nëse administrata teknike në një gjykatë ka fuqinë të ndikojë në rezultatin e një procesi të rëndësishëm kushtetues.
Tani fjala i takon Gjykatës Kushtetuese, jo thjesht për të vendosur mbi një padi, jo vetëm për të plotësuar vakancën, por për të ndalur shkeljet e për të vendosur: A mund t’iu imponohet një komision me sekretarë gjyqtarëve?
Gjykata Kushtetuese që është mbi të gjithë në hierarkinë e drejtësisë ka në dorë që t’i rikthejë drejtësisë besimin e cenuar nga një proces i dyshimtë që ka vene në pikëpyetje integritetin e votës së fshehtë në Gjykatën e Lartë.