Gara për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka hyrë në fazën vendimtare, me katër prokurorë në garë për postin më të lartë të drejtësisë shqiptare. Për herë të parë, mes kandidatëve është edhe një grua.
Në listën e shkurtër të pretendentëve janë përfshirë Klodian Braho, Elvin Gokaj, Doloreza Musabelliu dhe Adnan Xholi, të cilët pritet të intervistohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në ditët në vijim. Gara për drejtimin e SPAK ka zgjuar interes të lartë publik, pasi lidhet drejtpërdrejt me vijimësinë e hetimeve të dosjeve më të bujshme të viteve të fundit.
Gazetarja Anila Hoxha, e ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Top Story”, komentoi zhvillimet më të fundit në sistemin e drejtësisë, duke theksuar se proceset po zvarriten, jo vetëm në SPAK, por edhe në Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH).
“Në Prokurorinë e Posaçme ka dy zhvillime që presin drejtuesit. Drejtuesin e BKH, figurë që duhej të ishte në krye të detyrës që më 1 shtator, por kjo nuk u bë e mundur për shkak të zvarritjes së procedurave,” – deklaroi Hoxha.
Sipas saj, aktualisht emrat e kandidatëve për kreun e BKH ndodhen në shqyrtim nga Komisioni për Çështjen e Figurës dhe Pasurisë, ndërsa Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të ketë fjalën e fundit për përzgjedhjen.
“Gara ka kapërcyer çdo afat të mundshëm. BKH nuk e pati drejtuesin e dytë brenda afateve dhe procesi vazhdon të jetë në situatë verifikimi,” – shtoi ajo.
Kujtojmë se Aida Hajnaj u largua nga posti i drejtoreshës së parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar. Me vendimin e shumicës së anëtarëve të KLP-së, mandati i saj përfundoi më 31 gusht 2025, çka solli dhe lirimin nga detyra.
Drejtësia shqiptare ndodhet sot përballë dy garave të rëndësishme – SPAK dhe BKH – që pritet të përcaktojnë drejtimin e institucioneve më të rëndësishme antikorrupsion në vend.