Nga Marko Caka
Sot është lëvizja e 8 dhjetorit, që sot e quajmë dita e Rinisë. Megjithë madhështinë që ka kjo ditë, përsa I përket gjendjes mizore që u gjetën shqiptarët brenda një sistemi totalitar që kishte bllokuar të gjitha venat e lirisë, atë të shprehurit e të lëvizjes së lirë të qytetarëve.
E vetmja gjë që kishte mbetur ishte marrja frymë për së gjalli nën rrënojat e prapambetjes. Pra asgjë nuk mund ta mohojë etjen e një kombi për ta dalë nga zgjedha e katër mureve me vargonjtë nëpër këmbë që nuk bënte dot asgjë, por që e mbante gjallë vetëm shpresa për të dalë në botën e lirë. Kjo ishte një lëvizje që vinte natyrshëm nga të gjithë shqiptarët por me fuqi motorike rininë studentore, që u bë forca e vetme e guximit dhe e shpresës për ta përmbysur regjimin më të egër të Europës.
Sot për këtë ditë foli edhe Presidenti i vendit, i cili ndër të tjera tha- “Sot, të gjithë frymëzohemi nga akti qytetar dhe politik i dhjetorit ‘90 për të bërë realitet aspiratën e shprehur në thirrjen epike: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!” Nder përjetë!”.
Duke cituar vetëm këto rreshta të dalë nga sensi pozitiv i Presidentit Begaj, unë e kam më të lehtë për të kuptuar qëllimin madhor që kishte gjithë ajo turmë e madhe studentore, të cilëve pasi u kishte ardhur shpirti në majë të hundës nga regjimi totalitar, dalja në rrugë ishte më se e natyrshme pa qenë nevoja të nxitën nga të tjerët.
Sepse këta të tjerët që më vonë do të sundonin politikën e vendit, shfrytëzuan turmat për qëllimet e tyre për ta sjellë vendin në këtë gjendje pas 34 vitesh. Ishin po këta parardhësit e presidentit Begaj që morën frenat e drejtimit të vendit dhe që prishën gjithë atë inspirim dhe frymëzim të dhjetoristëve duke na sorollatur në dyert e europës si delet pa Zot, duke mos bërë realitet edhe sot e kësaj ditë ëndërrën tonë për t’ju afruar, e jo më për ta bërë Shqipërinë si Europa.
Fatkeqësia e vendit ishte se në atë lëvizje dhjetori për demokraci nuk u derdh aspak gjak por pushtetet kaluan ashtu si donte vetë regjimi i nomenklaturës duke na servirur të gjithë ata që kishin gëlltitur një qorbë të prishur për të vjellë gjithë jetën. Sepse vetëm ashtu mundën ta mbanin vendin pa ndëshkuar të kaluarën, pa ndëshkuar krimet e tyre.
Në krye të lëvizjes së dhjetorit duhet të ishin vetëm ata që u persekutuan nga ai regjim, ku shpirti i tyre sakrifikues për demokraci vuante për dekada të tëra duke u dergjur burgjeve nën torturat më monstruoze nga ata njerëz që i sherbyen me devotshmëri sistemit totalitar.
Por në krye të lëvizjes dolën disa halabakë, disa karrierista që vuanin për tu kapërdirë përpara kamerave dhe mikrofonave se gjoja “Zoti i tyre”( mos të bëjmë mëkat me Zotin tonë) i kishte sjellë në tokë për të “shpëtuar” kombin. Mjafton vetëm të shikosh asokohë disa video të kamerave të rralla në tryezat e këtyre politikaneve, të mbushura plot dhe që sot janë bërë dhe virale me fjalorin banal të tyre, për të kuptuar se kujt ky popull ja ka besuar fatin e tyre.
Ata shfrytëzuan një popull të raskapitur nga diktatura për të përmbushur qëllimit e tyre kriminale, për të pasuruar familjet e tyre, por kurrë për të qenë një frymëzim i të ardhmes se vendit siç po na e servir sot me mesazhin përshendtës Presidenti pasardhës i tyre.
Ata ishin dështimi më madh që ka patur historia politike e Shqipërisë duke na lënë sot pas 34 vjetëve jo vetëm larg dyerve të BE-së por në një nga vendet më të varfra të Europës. Çfarë mesazhesh duam sot nga këto politikanë që në çdo përvjetor kanë pushtuar ekranet e televizioneve dhe podiumet e ceromonive dhe të kollarisur e me aksesore firmato na mburren për arritjet e tyre, ku ne duhet të inspirohemi jo për arritjet e vendit por për arritjet e tyrë, të zhytur nga luksi me anë të aferave korruptive dhe rreth tyre një Shqipëri tjetër e zhytur në skamje.
Derisa këta politikanë të jenë në skenën politike dhe që mbajnë peng fatet e vendit, ne nuk festojmë kurrë 8 dhjetorin, sepse si mund të gjejmë tek dështuesit frymëzimin e atëhershëm me shpresën e gjithë shqiptarëve për ta bërë Shqipërinë jo si Zvicra por të paktën si gjithë Europa.