Ernilda Luzi
Prodhimet “Made in Albania” po zgjerohen gjithnjë e më shumë në tregjet e huaja. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri me dije se eksportet bujqësore gjatë muajit nëntor 2024 arritën një sasi prej 44.595 ton, ndërsa vlera e tyre përllogaritet në 5,39 miliardë lekë.
Këto shifra tregojnë një rritje të ndjeshme prej 44.5% në sasi dhe 17.8% në vlerë krahasuar me nëntorin e vitit 2023. Sipas ministres Denaj, rritja e qëndrueshme e produkteve bujqësore reflekton punën dhe mundin e fermerëve shqiptarë për njohjen e markës në tregjet ndërkombëtare.
Objektivi i qeverisë është që përmes politikave mbështetëse për fermerët në drejtim të prodhimit, cilësisë dhe certifikimit të arrihet në nivelin e 1 miliardë dollarë eksporte deri në vitin 2030.
Nga ana tjetër, në totalin e eksporteve ato që udhëheqin dhe që kanë kërkesën më të lartë nga konsumatorët e huaj janë fruta-perimet e freskëta shqiptare.
Klima e favorshme dhe mundësia për mbulimin e tregjeve rajonale me potenciale të pashfrytëzuara e bëjnë Shqipërinë një vend me potencial premtues në disa sektorë dhe veçanërisht në bujqësi.