Harta e re e çmimeve referencë të pasurive të paluajtshme nuk do të ulë domosdoshmërisht rrezikun e pastrimit të parave, ndërsa mund të ndikojë në shtrenjtimin e apartamenteve veçanërisht në rrethe. Është ky paralajmërimi i Aleancës së Profesionistëve të Lirë në një shkresë drejtuar Ministrisë së Financave ku sugjerojnë gjithashtu që tatimi që do të paguhet në rast të shit-blerjes të mos jetë 5 për qind.
“Bazuar në analizën e praktikave të kaluara, një normë tatimore jo më e lartë se 3% mbi ndërtesat dhe tokën e zëna është optimale për: Rritjen e të ardhurave buxhetore përmes zgjerimit të bazës tatimore, uljen e nivelit të informalitetit në tregun e pasurive të paluajtshme dhe nxitjen e transaksioneve dhe formalizimit të pronësisë. Paralelisht, kërkohet forcimi i mekanizmave të kontrollit mbi burimin e të ardhurave të përdorura në blerjen e pasurive të paluajtshme, për të parandaluar pastrimin e parave dhe për të mbrojtur integritetin e tregut.”
“Legjislacioni aktual mbi tatimin e të ardhurave ka vendosur tashmë një vlerë minimale nën të cilën transaksionet e shitblerjes nuk pranohen. Projektvendimi ndjek të njëjtën qasje duke mos reflektuar rastet e rënies së çmimeve, edhe kur këto përfaqësojnë prirje reale tregu. Një politikë e tillë nxit vetëm prirjet rritëse të çmimeve, duke penguar funksionimin natyral të ofertës dhe kërkesës. Si rrjedhojë, çmimet referencë rrezikojnë të përdoren më shumë si instrument fiskal për rritjen e të ardhurave, sesa si tregues real i tregut.”
“Banesa kryesore të përjashtohet nga tatimi mbi ndërtesat ose të tatohet me një normë simbolike. Fitimi nga shitja e banesës kryesore të përjashtohet nga tatimi mbi fitimin kapital, duke ndjekur modelin e OECD dhe shumicës së vendeve anëtare të BE-së. Për pasuritë e tjera, tatimi mbi fitimin kapital të aplikohet në mënyrë progresive, por i korrigjuar për efektet e inflacionit dhe kostove të justifikuara financiare për të siguruar që tatohet vetëm fitimi real dhe jo vlera e fryrë artificialisht nga tregu ose faktorë makroekonomikë.”
Fushata e rivlerësimit të pronave do të nisë nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Tatimi që do të paguhet në rast të shit-blerjes së pronave propozohet të jetë në masën 5 për qind. Ministria e Financave ka hedhur në Konsultim Publik projektligjin “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”. /A2