back to top
9.5 C
Tirana
E mërkurë, 5 Shkurt, 2025
spot_img
KreuAktualitetProgrami i PD-së për bujqësinë/ Berisha: Fermerit do t’i vendoset pensioni

Programi i PD-së për bujqësinë/ Berisha: Fermerit do t’i vendoset pensioni

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha  gjatë prezantimit të programit të qeverisjes për vitet 2025-2029, së bashku me ekspertë të fushës dhe me mëbshtetjene  fondacioni gjerman të CDU, ‘Konrad Adeanuer’, shprehu shqetësimin për injorimin e sektorit të bujqësisë nga qeveria aktuale, duke theksuar se, për më shumë se 8 vjet, prodhimi kryesor në Shqipëri ka qenë kanabisi dhe droga, duke lënë pas dore prodhimet bujqësore. Berisha fajësoi qeverinë për mungesën e investimeve dhe mbështetjes për bujqësinë, përfshirë mbrojtjen e tokës dhe zhvillimin e infrastrukturës vaditëse.

Lideri demokrat, Sali Berisha theksoi një rënie të ndjeshme të prodhimit bujqësor dhe industrial në vitet e fundit, duke e cilësuar Shqipërinë si një vend që po bie si një prodhues dhe po shndërrohet në një vend të shërbimeve dhe ndërtimit, ku korrupsioni dhe droga dominojnë.

Kryetari i PD, Sali Berisha kritikoi qeverinë për mbështetje shumë të ulët për fermerët shqiptarë, duke theksuar se ndihma është 3-5 herë më e vogël se në rajon. Berisha akuzoi qeverinë për keqpërdorimin e fondeve të IPARD, të cilat duhej të shkonin për bujqësinë, por u përdorën nga klanet e pushtetit. Ai theksoi rënien e prodhimit bujqësor dhe rritjen e çmimeve të ushqimeve, duke kërkuar një ndërhyrje urgjente për shpëtimin e këtij sektori dhe rritjen e prodhimit.

Kryetari i PD, Sali Berisha prezantoi një plan për të transformuar bujqësinë në Shqipëri. Berisha tha se çdo fermer do të ketë pension dhe çdo i moshuar në fshat do të trajtohet me minimum jetik. Buxheti për bujqësinë dhe blegtorinë do të trefishohet dhe do të arrihet niveli i vendeve të rajonit. Ai kërkoi subvencione për çdo bimë, kokë bagëti dhe prodhim, dhe heqjen e taksave ndëshkuese për prodhimet bujqësore. Kryedemokrati theksoi gjithashtu rëndësinë e mbrojtjes së tokës dhe zhvillimit të infrastrukturës për vaditje dhe kullim. Berisha gjithashtu u shpreh se, do  të angazhohet për shumëfishimin e drurëve frutorë, veçanërisht ullinjve dhe arrorëve.

Lideri demokrat, Sali Berisha premtoi se në vitin e dytë të qeverisjes do të 5-fishojë buxhetin për bujqësinë dhe blegtorinë, duke mbrojtur prodhimet vendase.Berisha vuri theksin mbi rëndësinë e arsimit për fermerët dhe ofrimin e shërbimeve të specializuara bujqësore. Berisha kundërshtoi planet e qeverisë për të transformuar Universitetin Bujqësor dhe ftoi pedagogët dhe studentët ta mbrojnë atë. Berisha theksoi mbështetje të madhe për fermerët e rinj, për kredi të buta dhe grante, dhe për rinovimin e fshatit shqiptar.

FJALA E PLOTË

Shpreh falendërimin tim për të gjithë ju që jeni sot këtu, dhe që në tërësi përfaqësojnë rreth 40% të popullit shqiptar që jetojnë në fshat. Për Shqipërinë sektori i bujqësisë, bujqësia, blegtoria dhe përpunimi i prodhimeve të bujqësisë dhe blegtorisë është i një rëndësie themelore në shumë aspekte.

Së pari, ky sektor është si i tillë kontributori kryesor në prodhimin e brendshëm të vendit. Ky sektor, i cili jep rreth 20% të prodhimit të brendshëm të vendit, sipas një studimi të Bankës Botërore ka marrë gjithësej 0.19% të prodhimit të brendshëm të vendit, të GDP-së, pra nuk ka marrë asnjë 1/100 e asaj që jep. Dhe ky dispoporcion i financimit të këtij sektori dëshmon qartë injorimin e plotë tij nga qeveria aktuale.

Për këtë qeveri, që nga viti 2015 prodhimi i vetëm i rëndësishëm është kanabis dhe droga. Nuk keni dëgjuar ju ndonjëherë ministrat, as kreun e tyre të flasë as për lopën, as kanalet vaditëse, të flasë për qumështin, vezët, apo fermerin. E keni dëgjuar me mijëra herë të flasë për drogën dhe kanabisin. E keni dëgjuar dhe është dokumentuar se, ky mendjeprishur konsideron të dobishme tokën e Shqipërisë për t’u mbjellë me drogë dhe jo me prodhimet e saj më të mrekullueshme, të cilësisë së lartë, të llojeve nga më të ndryshmet. Por, siç del nga mbledhjet e Këshillit të Ministrave për të droga është para, dhe o burra, të kujdesemi për të.

U injorua në mënyrë totale toka, e cila është një pasuri themelore e çdo vendi. Masat për mbrojtjen e tokës janë inekzistente. Ky njeri që në çdo fjalë nxjerr një mashtrim, ju kujtohet kur fliste për rrugicën që do ta çonte tek ara dhe ujin që do të çonte tek çdo bimë? Shqipëria, jo që nuk shtoi sipërfaqe vaditëse, por e reduktoi sipërfaqen.

E vërteta është se, për herë të parë në dekada, vitin e kaluar prodhimi bujqësor ra në mënyrë të ndjeshme. Kurse, prodhimi në tërësi dhe ai industrial ka 3 vite që bie çdo vit e më poshtë. Ka 3 vite që Shqipëria rrudhet si një vend prodhues, dhe mbetet vend shërbimesh dhe vend i ndërtimit ku, monumentet e drogës dhe korrupsionit zënë hapësirat dhe frymëmarrjen e qytetarëve shqiptarë në qytetet e mëdha të vendit.

Partia Demokratike shikon te bujqësia një potencial shumë të madh për të ndryshuar jetën e shqiptarëve. Impakti i degradimit të bujqësisë sonë ka qenë me pasoja shumë të rënda, jo vetëm për mijëra e mijëra ferma dhe fermerë që falimentuan, por ka qenë për të gjithë qytetarët.

Po të marrësh prodhimin e vezëve, prodhimin e qumështit, prodhimin e mishit ta krahasosh me 2013, rënia është katastrofale. Po edhe me 2018 po ta krahasosh, 3 vitet e fundit kanë qenë vite që Shqipëria ka njohur therrjet dhe reduktimin më masiv të krerëve, të të imtave dhe të gjedhëve në ëktë vend. Janë më shumë se sa përgjysmuar lopët e rracës. Ka rënë në 30-40% numri i të imtave. Nuk flitet më për potencialin e saj të jashtëzakonshëm në frutikulturë. Ndihma që jepet bujqësisë, buxheti i saj është qesharak. Gjithësej, de facto, janë të caktuara 70 mln euro, por 40 ua marrin hajdutët.

Sepse në qoftë se në Serbi, Maqedoni, apo në Kosovë fondi për bujqësinë 70-80% përfundon tek fermeri, në Shqipëri 55% përfundon nën xhepat e nëpunësit, e administratës.

IPARD që ishte një burim i rëndësishëm financimi, shumë i rëndësishëm, u vërsulën si lukuni ministrat, ministret, klanet e drogës dhe të trafikantëve, dhe në vend se të shkonte tek fermeri të përdorej për industrinë përpunuese, u përdor për sipërpamrrjen e banditëve dhe të qeveritarëve, për hotele në bregdet, e me radhë.

I lënë në mëshirë të fatit është fermeri sot.

Mbështetja e tij nga shteti është 3-5 herë më e vogël se në Kosovë, dhe po të shtojmë këtu dhe IPARD-in që iu hoqi, si rezultat i vjedhjes së Edi Ramës dhe minitrave të tij, them Edi Ramës, se ajo zonja hajdute, ajo është këshilltare. Në vend se të shkonte atje ku e ka vendin, për shpërdorimin masiv të fondeve të IPARD-it, është këshilltare te Edi Rama.

Pra, fermeri ka si alternativë falimentimin. Po të shihni pensionet e tyre, njerëz që kanë djerësitur dhe kanë bërë punën më të rëndë, puna e bujkut është puna më e rëndë, që nga rinia e hershme e tyre e gjer sot, marrin 100-120 euro pension, dhe nuk i marrin ato.

Të gjitha këto janë sirena alarmi që dëshmojnë se kemi të bëjmë me një gjendje emergjente në fushën e bujqësisë në Shqipëri. Kërkohet një ndërhyrje e gjithëanshme në këtë sektor, pasi potenciali i këtij sektori është absolutisht disa herë më i madhe se sa ky që marrim sot.

Çdo shqiptar blen sot ushqimet në dyqan me një çmim më të lartë se italiani, më të lartë se greku, më të lartë se gjermani, dhe të dashur miq, në qoftë se shihni studimine  fundit të INSTAT për çmimet në Shqipëri, çfarë ka konstatuar?

Ka konstatuar se, në vitet 2010-2011 çmimet në Shqipëri, në raport me çmimet në BE vinin në ulje, sepse rritej prodhimi, thjesht sepse rritej prodhimi bujqësor dhe blegtoral.

Kurse, në vitet e batërdisë ato ecin lart në mënyrë vertikale. Në fshat punësohen rreth gjysmë milioni shqiptarë. Është pra, bujqësia, është sektori i punësimit më të madh dhe përsëri pothuaj është zhdukur nga fjalori shtetëror fjala ‘bujqësi’.

Flitet, siç keni dëgjuar ju, nga mëngjesi gjer në darkë për turizmin, por unë çdo shqiptari ia them me përgjegjësi të plotë, se ky turizëm i kësaj natyre është një gjobë e rëndë ëpr çdo taksapagues shqiptar, dhe shkëlqimi i tij është verbues, pasi në turizmin e pretenduar prej 10 mln turistësh janë të rregjistruara gjithësej 6 milionë netë.

Nga 6 milionë netë dhe nga këta 10 milionë turistë, shitja e përgjithshme ka qenë rreth 140 mln euro, përfitimet në buxhetin e shtetit si në TVSH kanë qenë gjithësej 8 mln euro. Ndërkohëqë, çdo qytetar i cili përfitoi nga 4 euro në vit nga turizmi, shpenzon nga taksat e tij 230 euro, sepse Edi Rama me bandën e tij të trafikantëve strategjikë shpenzon çdo vit 430 mln euro për t’ua rregulluar infrastrukturën e resorteve të tyre dhe 10 vite pa taksa.

430 mln euro janë shpenzimet buxhetore çdo vit për infrastrukturën e resorteve turistike. Ky shtet është i zhytur në krim dhe informalitet.

Mali i Zi me 2.6 mln turistë rregjistron 16.8 milionë netë fjetjeje. Mirëpo, kush është viktima këtu? Viktima është bujqësia dhe prodhimi industrial.

Ne marrim përsipër një qendrim transformues për bujqësinë tonë.

Dhe kur them tranformues, kam parasysh në radhë të parë fermerin.

Fermerit do t’i vendoset pensioni, çdo i moshuar në fshat do trajtohet me minimum jetik, nuk do të ketë më pensionist apo shqiptar në moshë pensioni që do të marrë më pak se 200 euro.

Buxheti për bujqësinë dhe blegtorinë do të trefishohet dhe do të arrijë në dy vitet e para mesataren e buxhetit të vendeve të rajonit.

Tani jemi 8 herë nën Maqedoninë, imagjinoni ku jemi. Me Serbinë ndoshta dhe më shumë.

Do të subvencionohet çdo bimë, çdo kokë bagëti dhe çdo prodhim. Taksa ndëshkuese për prodhimet bujqësore në sektorin e përpunimit do të hiqen, do barazohen. Sot ka taksë vetëm në shitje në mënyrë absurde. Ballkani i Hapur do hidhet në kosh. Ballkani i hapur shkatërroi një nga faktorët kryesorë, konkurrencën e ndershme në Ballkan.

Serbia, jo vetëm që ka një trashëgimi subvencioni shumë të fuqishme, kanë patur një sektor bujqësor të organizuar me investime shumë të mëdha, por Serbia si pjesë e tregut ruso, ish-sovjetik, është problem shumë për rajonin, ndaj dhe Shqipëria ndal çdolloj praktike të Ballkanit të Hapur që, de facto, ishte hegjemonia ekonomike, dhe jo vetëm ekonomike, e Serbisë në rajon.

Nuk ka asnjë kujdes për tokën, si e tillë, toka bujqësore nuk do mundet absolutisht, përveçse në kushtet shumë rigoroze të ligjit të preket dhe të cënohet.

Ne jemi vendi me sasinë më minimale të tokës në Europë për frymë.

Shqipëria është vend plot ujëra. Do bëjmë gjithçka për shumëfishimin e sipërfaqeve të vaditura, por njëkohësisht për mbrojtjen, kullimin, vaditja dhe kullimi, vaditja dhe mbrojtja nga ujërat e larta, do jetë një drejtim themelor i yni.

Ne, tokën fushore e kemi, siç dihet, shumë të pakët, por tokë pjellore kemi kudo. Nuk ka tokë pa fryt. Ajo ekziston vetëm në mendjen e atyre që e shkatërruan bujqësinë shqiptare. Kudo, kjo tokë është pjellore, është e bekuar.

Ne do bëjmë gjithçka që të shumëfishojmë drurët frutorë në të gjithë territorin e vendit nga jugu në veri. Natyrisht, këtu kam parasysh dhe vreshtat, por ulliri dhe arrorët do të jenë dominues,d he drurët frutorë tradicionalë të krahinës.

Është i drejtë qendrimi ynë në këto dy lloje, ndaj ullirit dhe arrorëve. Këto kanë treg, janë treg i garantuar në tërësinë e tyre dhe ndonëse potenciali i ullirit mund të shkojë gjer në 50 mln rrënjë, i arrorëve mund të shkojë dyfishi i tyre, dhe ne nuk tërhiqemi nga këto projekte. Do bëjmë gjithçka të transformojmë Shqipërinë me këto projekte.

Arsimimi. Është e domosdoshme t’i kushtojmë një rëndësi të veçantë shkollimit të fermerëve të ardhshëm, por edhe sigurimit të ekspertëve të aftë të bujqësisë dhe blegtorisë ën të gjithë territorin e vendit, t’u ofrohen fermerëve shërbimet më të mira. Një raport i ri duhet të vendoset midis agronomit dhe fermerit. Raport që është në interesin më të mirë të zhvillimit të bujqësisë.

Tani, qeveria e kanabisit ka gjetur një model në Austri, vend i cili ka shkolla të avancuara, midis një dhjetëra e dhjetëra universitetesh bujqësore, zgjedh njërin për të transformuar Universitetin Bujqësor.

Ju garantoj se, iu ka vënë syrin terreneve të atij universiteti për të ndërtuar, nuk ka qëllim tjeter, dhe do të shkrijë në një të gjitha profesionet.

Faktikisht, do ta asgjësojë se thotë kam gjetur një model të tillë. Po të ishte për model, modeli më i suksesshëm i historisë është modeli amerikan. Dhe ne, e nisëm shumë mirë me shkollat bujqësore. Ekzistonte një e tillë në Selanik, mos gabohem. Morëm modelet në bashkëpunim me qeverinë amerikane, dhe ato ne duhet t’i konsolidonim, t’i zhvillonim dhe universiteti, mendoj se, është bërë një investim shumë i madh me Universitetin e Bujqësisë, janë bërë kualifikime shumë të rëndësishme, grupe studiuesish realisht seriozë, dhe tani të marrësh të asgjësosh strukturën aktuale është e papranueshme.

Ndaj, dhe unë i ftoj pedagogët dhe studentët t’i dalin zot universitetit të tyre sepse pas përpjekjeve të Edi Ramës nuk qendron asgjë tjetër, vetëm ligësia dhe idea për të plaçkitur territore, toka të atij universiteti.

Ne zotohemi se, do të 3 dhe 5-fishojmë në vitin e dytë investimet dhe buxhetin për bujqësinë dhe blegtorinë, por edhe do mbrojmë prodhimet tona. Nuk ka vend në botë që nuk mbron prodhimin, asnjë. Përveç Shqipërisë që, për të therrë lopët e veta miraton ligjin e futjes së qumështit pluhur pa TVSH.

Si t’i heqim qafe?

Ne do bëjmë gjithçka dhe kemi besim të madh se do ta shndërrojmë fshatin në një vend ku fermerët e rinj të mbështetur fuqimisht në kredi të buta, me grante për start up-et në këtë fushë të ripopullojmë dhe njëherë fshatin shqiptar.

Ju them unë ju, në jug fshati pothuaj nuk ekziston. Fshati, ta dini, nga Pogoni, gjer afër Elbasanit është sikur t’i ketë zjarret nga të katërta anët se njerëz ka shumë pak, shumë shumë pak.

Sipas tij, duhet të spostohemi të jetojmë vetëm në bregdet.

Po ja, u spostua në bregdet, çfarë bëjnë 9 muaj? Të na thojë dikush ne? Ku janë turistët 9 muaj në këtë vend? Kemi turistë, thotë. Nuk është e vërtetë, nuk është zgjatur. Ka një shtesë, sigurisht, 2-3 javë, por turizmi është sezonal dhe ata që merren me turizmin nuk i ndihmon, nuk i jep një qindarkë për punëtorët, punëtorët ikin.

Pra, një qendrim krejt tjetër ndaj fermës, fermerit dhe bujqësisë.

Unë ju ftoj ju që të shprehni mendimet tuaja të vyera, dhe u garantoj se për ne transformimi i bujqësisë shqiptare është qendrim ndër më kryesorët të programit të partisë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat