Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) u tërhoq të premten nga kërkesa për shkarkimin e prokurores së Tiranës, Armida Hamiti (Moçka), duke i hapur rrugë konfirmimit të saj përfundimtar në detyrë. Vendimi përfundimtar do të shpallet më 17 korrik nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Në seancën gjyqësore, përfaqësuesi i SPAK, Adnan Xholi, u shpreh se ishte bindur nga shpjegimet dhe provat e sjella prej prokurores, sidomos lidhur me burimin e pasurisë së bashkëshortit të saj, e cila ishte në qendër të dyshimeve dhe ankimimit fillestar.
Hamiti kërkoi po ashtu lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), që e konfirmoi në detyrë në dhjetor të vitit 2022, pasi aplikoi parimin e proporcionalitetit për disa pasaktësi në deklarimin e pasurisë.
Megjithatë, vendimi i KPK-së u ankimua në shkurt 2023 nga Komisioneri Publik, me argumentin se gjetjet për pasurinë ishin serioze dhe duhet të çonin në shkarkim.
Tani që SPAK është tërhequr nga kërkesa për shkarkim, i mbetet Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të marrë vendimin përfundimtar. Trupa gjyqësore përbëhet nga Rezarta Schuetz (kryesuese), Sokol Çomo, Ina Rama, Albana Shtylla dhe Mimoza Tasi.



