Prokurori Elvin Gokaj është zyrtarisht kandidati i dytë që ka dorëzuar platformën për postin e drejtuesit të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Afati për shprehjen e interesit dhe dorëzimin e platformave mbyllet më 8 tetor, sipas vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Pas mbylljes së këtij afati, KLP do të ketë në dispozicion dy muaj për të shqyrtuar kandidaturat, zhvilluar intervistat publike dhe për të marrë vendimin me votim.
Elvin Gokaj është një nga prokurorët me eksperiencë në sistemin e drejtësisë, duke u shquar sidomos në hetimet kundër korrupsionit dhe abuzimeve me fondet publike. Ai ka qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme që nga krijimi i saj dhe ka drejtuar hetime ndaj zyrtarëve të lartë, përfshirë ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, i dërguar për gjykim në kuadër të dosjes së njohur si “Buka”.
Gokaj ka hetuar gjithashtu çështje që lidhen me keqpërdorimin e tenderave publikë, skemat korruptive në institucione shtetërore si dhe raste me ndikim të gjerë publik dhe politik, duke u konsideruar një nga prokurorët më aktivë në dosjet e profilit të lartë të SPAK.