Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka vendosur të lërë në fuqi vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Tiranës, Kudusi Shahu, duke konfirmuar kështu konkluzionet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK).
Vendimi u shpall të enjten, më 17 korrik 2025, nga trupi gjykues i Kolegjit, i kryesuar nga Sokol Çomo, me relatore Mimoza Tasi dhe anëtare Albana Shtylla, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz. Trupa gjykuese mori vendimin në mënyrë unanime, pas shqyrtimit të ankimimit të bërë nga Shahu ndaj vendimit të KPK-së.
Prokurori Kudusi Shahu u shkarkua nga detyra më 12 dhjetor 2022 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pas konstatimit të bilanceve negative të mëdha në pasuri. Pavarësisht se u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe përgatitjen profesionale, ai nuk arriti të justifikonte burimin e pasurive të deklaruara.
Karriera
Shahu ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë. Ai e nisi punën në vitin 1991 në ish-hetuesinë e Kukësit, më pas në Hetuesinë e Përgjithshme, dhe vijoi si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.
Në vitin 1999, ai u emërua në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa ka shërbyer edhe në Prokurorinë për Krime të Rënda, përpara se të rikthehej në Prokurorinë e Përgjithshme, ku ushtroi detyrën deri në momentin e shkarkimit.
Problematika me pasuritë –dhe konkretisht pamundësia për të justifikuar burimet financiare – rezultoi vendimtare në vendimmarrjen e KPK-së dhe më pas në konfirmimin e këtij vendimi nga KPA.
Ky vendim përbën një tjetër rast ku procesi i vettingut në drejtësi godet figura të larta të sistemit, në përpjekje për të pastruar rrjetin institucional nga elementë që nuk arrijnë të justifikojnë ligjërisht pasuritë e tyre.



