back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 27 Mars, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaMashtrim 2.2 mln euro/ Prokuroria çon në gjyq biznesmenin Adnand Mahmuti dhe...

Mashtrim 2.2 mln euro/ Prokuroria çon në gjyq biznesmenin Adnand Mahmuti dhe 5 kompani

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim gjashtë persona dhe pesë shoqëri tregtare, të akuzuar për një skemë mashtrimi me vlerë 2.2 milionë euro në dëm të një shtetaseje.

Në qendër të hetimeve është Adnand Mahmuti, i cili dyshohet se përmes mashtrimit dhe shpërdorimit të besimit ka përfituar shumën e konsiderueshme nga kallëzuesja. Sipas Prokurorisë, paratë, të siguruara nga shitja e një pasurie të paluajtshme, iu dhanë atij në formë huaje me premtimin për investim në projekte biznesi në fushën e transmetimeve sportive përmes aplikacioneve digjitale.

Hetimet kanë zbuluar se fondet nuk janë përdorur sipas marrëveshjes dhe nuk janë kthyer, megjithëse kompanitë e përfshira kishin kapacitete financiare për të shlyer detyrimin. Sipas organit të akuzës, Mahmuti ka shfrytëzuar marrëdhënien e besimit me viktimën, si dhe pozicionin e tij në disa shoqëri tregtare, për të realizuar mashtrimin.

Në këtë çështje janë marrë të pandehur edhe shtetasit B.K., Blerina Kota, Mirela Guri dhe Saimir Gora, të cilët, sipas Prokurorisë, kanë bashkëpunuar në skemë duke penguar kthimin e shumës dhe duke qenë në dijeni të aktivitetit të paligjshëm.

Pjesë e procedimit penal janë edhe pesë shoqëri tregtare – “MAGOWARE” sh.p.k., “OVER SPORT” sh.p.k., “TIBO AL” sh.p.k., “TIBO Communications” sh.p.k. dhe “TIBO” sh.p.k. – të cilat dyshohet se janë përdorur për qarkullimin dhe fshehjen e fondeve të përfituara në mënyrë të kundërligjshme.

Nga analiza financiare dhe ekspertiza kontabël ka rezultuar se, përveç mashtrimit, janë konsumuar edhe veprat penale të fshehjes së të ardhurave dhe mospagimit të taksave. Autoritetet kanë evidentuar mospërputhje të theksuara në deklarimet financiare, si dhe detyrime të pajustifikuara që nuk mbështeten në dokumentacion ligjor.

Ndërkohë, për akuzën e pastrimit të produkteve të veprës penale, Prokuroria thekson se janë kryer një sërë transaksionesh të dyshimta ndërmjet shoqërive të përfshira, shpesh jashtë sistemit bankar dhe në para cash, me qëllim fshehjen e origjinës së parave dhe vështirësimin e gjurmimit të tyre.

Sipas hetimeve, kompanitë e përfshira kishin mundësi financiare për të kthyer shumën e marrë, por nuk e kanë bërë këtë, duke forcuar dyshimet për një skemë të mirëorganizuar mashtrimi dhe pastrimi parash.

Në përfundim të hetimeve, ndaj personave dhe shoqërive janë ngritur akuzat për “Mashtrim”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehje e të ardhurave” dhe “Mospagim i taksave dhe tatimeve”. Çështja tashmë pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Tiranës.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat