Prokuroria e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka reaguar pas ngjarjes së rëndë ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit në Tiranë.
Në një deklaratë për mediat, Prokuroria e Apelit shprehet e tronditur nga krimi dhe përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e gjyqtarit të ndjerë.
“Trupa e prokurorëve dënon me forcë këtë akt kriminal ndaj gjyqtarit të nderuar Astrit Kalaja, një figurë e respektuar e sistemit të drejtësisë dhe një profesionist i palodhur në shërbim të ligjit dhe qytetarëve. Sulmi ndaj tij është një sulm i drejtëpërdrejtë ndaj shtetit të së drejtës,” thuhet në reagim.
Prokuroria e Apelit paralajmëron gjithashtu se ngjarja duhet të shërbejë si “një këmbanë alarmi” për pasojat e gjuhës së urrejtjes dhe të denigrimit të figurës së magjistratit.
“Kjo ngjarje tregon se mungesa e respektit ndaj veprimtarisë gjyqësore dhe nxitja e gjuhës denigruese krijon klimë të rrezikshme për sistemin e drejtësisë dhe për shoqërinë,” thekson më tej deklarata.



