Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka dhënë masa sigurie për 10 persona, mes tyre punonjës të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Fier dhe qytetarë të tjerë, të akuzuar për veprat penale: “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsion aktiv”, “Korrupsion pasiv” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Hetimi nisi mbi bazën e materialeve të referuara nga Policia e Fierit në shtator 2023 dhe ka zbuluar dyshime të arsyeshme se disa punonjës të Qendrës së Kontrollit Teknik kanë nxjerrë kalues në kontroll automjete me defekte të rrezikshme, duke konsumuar elementët e “shpërdorimit të detyrës”.
Gjithashtu, dy qytetarë kanë dhënë 2000 lekë ryshfet për të kaluar kontrollin teknik të automjetit, ndërsa në një rast tjetër është ofruar përfitim i parregullt për të kaluar një mjet, pa u kallëzuar rasti në organet kompetente.
Masat e sigurisë të vendosura:
“Detyrim paraqitje” dhe “pezullim nga detyra” për 6 punonjës të DRSHTR Fier: A.M., S.K., E.S., M.G., L.M. dhe E.Sh.
“Detyrim paraqitje” për J.V., i akuzuar edhe për moskallëzim të krimit.
“Detyrim paraqitje” për D.H. dhe J.Q., të dyshuar për korrupsion aktiv në bashkëpunim.
“Detyrim paraqitje” për D.N., i dyshuar për korrupsion aktiv.
Prokuroria e Fierit theksoi se do të vijojë me prioritet hetimet për veprat që lidhen me korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës, duke i konsideruar ato si rrezik serioz për sigurinë publike dhe besimin e qytetarëve te institucionet.