back to top
15.5 C
Tirana
E enjte, 5 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetKronikëProkuroria përgënjeshtron Sakon/ Kush do të shkoj në burg Bashkia Durrës?

Prokuroria përgënjeshtron Sakon/ Kush do të shkoj në burg Bashkia Durrës?

Bashkia e Durrësit dhe kryetarja Emirjana Sako janë kapur në gënjeshtër lidhur me vdekjen tragjike të punonjësit të Ndërmarrjes Komunale Plazh, Astrit Hysenaj. Një deklaratë zyrtare e Bashkisë, e ndërtuar për të shmangur përgjegjësinë institucionale, është rrëzuar publikisht nga Prokuroria e Durrësit, e cila jo vetëm që përgenjeshtroi versionin e pushtetit vendor, por paralajmëroi ndjekje penale dhe burg për zyrtarët përgjegjës.

Në reagimin e saj, Bashkia e Durrësit pretendoi se Astrit Hysenaj kishte përfunduar orarin e punës rreth orës 10:30 të datës 6 janar 2026 dhe ishte larguar nga ambientet e ndërmarrjes, duke lënë të nënkuptohet se humbja e jetës kishte ndodhur jashtë detyrës dhe pa lidhje me emergjencën e përmbytjeve.

Sipas Bashkisë, vetëm rreth orës 16:00 familjarët kishin kontaktuar përgjegjësin e ndërmarrjes, pasi punonjësi nuk ishte kthyer në banesë, dhe më pas ishte njoftuar Policia e Shtetit. Një narrativë e ftohtë dhe teknike, e ndërtuar për të larë duart nga përgjegjësia morale dhe ligjore për jetën e humbur.

Por ky version u shemb brenda pak orësh.

Prokuroria e Durrësit përgenjeshtroi zyrtarisht Bashkinë dhe deklaroi se nga të dhënat e deritanishme rezulton se vdekja e Astrit Hysenajt lidhet drejtpërdrejt me detyrën e tij dhe me situatën emergjente të krijuar nga reshjet intensive dhe përmbytjet në qytet.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, punonjësi kishte shkuar në zonën e prekur për të verifikuar situatën e krijuar nga vërshimet e ujit dhe dyshohet se ka humbur jetën pasi është marrë nga rrjedha e fortë e ujit. Një fakt që e rrëzon plotësisht pretendimin e Bashkisë se ai ndodhej “jashtë orarit të punës”.

Më tej, Prokuroria shkon edhe më larg, duke e cilësuar situatën si potencialisht vepër penale. Në njoftimin zyrtar thuhet se ekzistojnë dyshime të arsyeshme për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, të kryer nga persona përgjegjës për mirëmbajtjen, kontrollin dhe menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet e shiut në qytetin e Durrësit.

Sipas organit të akuzës, ka indicie se zyrtarë të ngarkuar me funksione publike kanë kryer veprime ose mosveprime në kundërshtim me detyrën, duke dëmtuar rëndë interesat e qytetarëve dhe personave juridikë, si dhe duke sjellë pasoja të rënda dhe të matshme, jo vetëm në pasuritë e qytetarëve, por edhe në jetën e një personi që humbi jetën.

Ky paralajmërim përbën një goditje të rëndë për Bashkinë e Durrësit dhe për kryetaren Emirjana Sako, e cila deri më tani ka zgjedhur të relativizojë tragjedinë dhe të shmangë përgjegjësinë politike dhe morale. Për herë të parë, Prokuroria sinjalizon qartë se çështja nuk do të mbyllet me deklarata shtypi, por mund të përfundojë me përgjegjësi penale dhe burg për zyrtarët përgjegjës.

Ndërsa Bashkia tentoi të manipulojë opinionin publik me një version të pjesshëm të ngjarjes, Prokuroria nxori në dritë një realitet shumë më të rëndë: një punonjës humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës, në një situatë të keqmenaxhuar, dhe institucionet tentuan fillimisht të mohojnë lidhjen e tyre me tragjedinë.

Një përpjekje për të fshehur të vërtetën që tani rrezikon të shndërrohet në dosje penale.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat