back to top
29.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaProkuroria sfidon Ramën: Drejtësia nuk bëhet me urdhra nga Facebook-u

Prokuroria sfidon Ramën: Drejtësia nuk bëhet me urdhra nga Facebook-u

Prokuroria e Shkodrës ka reaguar pas deklaratave publike të kryeministrit Edi Rama lidhur me vendimin e prokurores Elsa Gjeli për mosfillimin e një procedimi penal ndaj një rasti ndërtimi në zonën e mbrojtur të Thethit. Kryeministri e kishte cilësuar vendimin si “të turpshëm” dhe kishte kërkuar që rasti t’i përcillej Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Në një sqarim zyrtar, Prokuroria thekson se vendimi i datës 30 maj 2025 është marrë në përputhje të plotë me nenin 290 të Kodit të Procedurës Penale, i cili parashikon se nuk mund të fillohet një procedim penal kur fakti nuk përbën vepër penale ose kur nuk ekziston fakti.

Sipas Prokurorisë, në rastin konkret:

Strukturat e konstatuara në terren ishin konteinerë të përkohshëm pa themele, të vendosur mbi rrasa guri dhe jo mbi bazamente betoni.

Këto struktura, sipas ligjit për planifikimin e territorit dhe akteve nënligjore përkatëse, nuk përbëjnë objekte ndërtimi që kërkojnë leje, por vetëm deklarim paraprak.

Vetë Inspektorati Vendor i Territorit (IMT) dhe Bashkia Shkodër i ka klasifikuar këto struktura si kundërvajtje administrative, dhe jo si vepër penale.

Prokuroria shton se vendimmarrja është bazuar në analiza ligjore dhe fakte të dokumentuara, pa ndikuar nga faktorë të jashtëm. Institucioni thekson se çdo tentativë për të ndikuar në punën e prokurorëve – përfshirë deklarata publike nga pushteti ekzekutiv – cënon ndarjen e pushteteve dhe besimin publik në drejtësi.

“Vendimi për mosfillimin e procedimit penal nuk është akt vullneti, por ligjor. Çdo ndërhyrje politike përbën presion të papranueshëm ndaj një institucioni kushtetues të pavarur,” thuhet në deklaratë.

Prokuroria shprehet se do të vijojë punën në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat