Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ekzekutimit të gjyqtarit Kalaja, duke e lidhur atë me dështimin e reformës në drejtësi. Sipas tij, reforma nuk u ngrit mbi interesin e qytetarëve, por mbi korrupsion dhe presione të hapura politike e diplomatike.
“Gjithçka u manipulua në funksion të reformës së drejtësisë, me ambasadorë të korruptuar, zyrtarë të korruptuar nga Edi Rama dhe klani i Sorosit. Vlahutin e Donald Lu ishin ndër njerëzit më të korruptuar që kanë shkelur në tokën shqiptare. Ata bënin presion, organizonin sondazhe të manipuluara me fondacionin Soros, për ta kaluar drejtësinë në dorë të ekzekutivit,” tha Berisha.
Ai theksoi se gjatë qeverisjes së tij ishin dhënë mbi 54 mijë vendime për kthimin dhe kompensimin e pronave, me një sipërfaqe prej 1.5 miliardë metra katrorë tokë dhe mijëra objekte të rikthyera pronarëve legjitimë. Sipas tij, procesi nuk pati një zgjidhje përfundimtare, por kishte nisur të ecte përpara dhe u dixhitalizua kadastra në 6 qarqe kryesore.
“Vetëm nga regjistri i pronave janë shkulur 13 mijë faqe. Fatmirësisht ato ekzistojnë edhe në versionin dixhital, por fakti që janë zhdukur nga regjistri është i rëndë,” u shpreh ai.
Berisha tha se qytetarët shqiptarë sot janë të vetmit në Europë që kanë humbur të drejtën për një proces gjyqësor të drejtë dhe në kohë, ndërsa aktualisht, për një vendim, duhet të presin deri në 15 vite.
Në fund, ai theksoi se pavarësisht padrejtësive, vetëgjyqësia nuk mund të jetë zgjidhja:
“Gjykatësi nuk mund të vritet kurrsesi. Ai duhet të ketë mbrojtje maksimale. Vetëgjyqësia nuk është drejtësi, është reagim pa të ardhme.”