back to top
9.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetSocialeProtesta kundër resortit të Ulajt/ Shoqërohen 6 persona mes tyre edhe një...

Protesta kundër resortit të Ulajt/ Shoqërohen 6 persona mes tyre edhe një aktiviste

Tensione janë shënuar mëngjesin e sotëm në zonën e Rrjollit, pranë Velipojë, ku banorët kanë bllokuar rrugën për makineritë e kompanisë së ndërtimit Gener 2, në pronësi të biznesmenit Bashkim Ulaj.

Sipas banorëve, të cilët prej ditësh po protestojnë në zonë, kompania po ndërton një resort luksoz në Rrjoll mbi toka që ata pretendojnë se u përkasin dhe se janë marrë në mënyrë të padrejtë. Në shenjë kundërshtimi, ata i kanë dalë përpara makinerive që në orët e para të mëngjesit, duke bllokuar lëvizjen e tyre.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë rreth orës 08:30, të cilat kanë ndërhyrë për të larguar protestuesit dhe për të hapur rrugën për vijimin e punimeve. Gjatë ndërhyrjes, policia ka shoqëruar në komisariat 6 persona, për shkak të rezistencës ndaj uniformave blu.

Mes të shoqëruarve është edhe Luçiana Kokaj, një nga zërat më aktivë të protestave të banorëve, e cila ka marrë pjesë në tubimet kundër ndërtimit dhe ka kërkuar publikisht mbrojtjen e pronave të banorëve të zonës.

Protestat në Rrjoll kanë vijuar prej disa ditësh, ndërsa banorët kërkojnë ndërprerjen e punimeve dhe verifikimin e statusit të pronësisë së tokave. Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga kompania ndërtuese lidhur me incidentin e sotëm.

Situata në zonë mbetet e tensionuar, ndërsa pritet nëse banorët do të vijojnë protestat edhe në ditët në vijim.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat