Kjo e enjte ka nisur me replika të forta mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe Lëvizjes Vetëvendosje të kryetarit Albin Kurti, për shkak të protestës në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Shkak për tensionin u bë një deklaratë zyrtare e Vetëvendosjes, e cila kritikoi Ramën për rolin e tij në themelimin e Gjykatës Speciale në vitin 2015, duke e cilësuar qëndrimin e sotëm të Tiranës si hipokrit.
Në reagimin e tij, Rama iu përgjigj me tone të ashpra, duke ironizuar deklaratën dhe duke theksuar se qëndrimi i tij ndaj proceseve në Hagë ka qenë i qartë dhe publik. Kryeministri shtoi se nuk ka qenë organizator i protestës “Drejtësi për Çlirimtarët”, por e mbështet ngjarjen me gjithë zemër.
“Do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj,” tha Rama.
Në deklaratën e Vetëvendosjes, partia shprehu mbështetjen për protestuesit dhe theksoi se qëndrimi i saj kundër Gjykatës Speciale ka qenë i pandryshuar që nga fillimi. VV argumenton se Gjykata Speciale është një produkt i një procesi të nxitur jashtë Kosovës dhe hedh poshtë akuzat për ekzistencën e një strukture kriminale brenda UÇK-së.
“Shumë nga ata që sot dalin në kundërshtim me Gjykatën Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj,” thuhet në reagimin e VV-së, duke përmendur edhe kryeministrin Rama.
Kjo përplasje thekson tensionet mes dy palëve për rolet historikë dhe politikat përkatëse ndaj UÇK-së dhe Gjykatës Speciale, ndërsa protestat në Tiranë vazhdojnë të jenë në qendër të debatit publik.