back to top
11.5 C
Tirana
E martë, 10 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetProtestë nën masa të rrepta sigurie/ RENEA dhe agjentë civilë në terren

Protestë nën masa të rrepta sigurie/ RENEA dhe agjentë civilë në terren

Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara sigurie për garantimin e mbarëvajtjes së protestës kombëtare të thirrur nga opozita, e cila do të zhvillohet këtë të martë, më 10 shkurt, në orën 17:00, përpara Kryeministrisë.

Raportohet se mbi 1.000 efektivë policie do të jenë të angazhuar në terren dhe në gatishmëri. Përveç forcave të rendit, në shërbim do të jenë edhe Forcat Kombëtare të Sigurisë, RENEA, si dhe agjentë civilë. Efektivët do të jenë të pajisur edhe me maska kundër gazit lotsjellës, në rast përshkallëzimi të situatës.

Autoritetet kanë vendosur gjithashtu masa të forta për qarkullimin rrugor. Duke nisur nga ora 00:00, është ndaluar parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona e njohur si “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”, deri në përfundim të tubimit.

Ndërkohë, nga ora 15:00 dhe deri në mbyllje të protestës, do të bllokohet plotësisht qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia njofton se, në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime edhe në akse të tjera rrugore, ndërsa është parashikuar devijimi i qarkullimit përmes rrugëve alternative.

Në apel drejtuar qytetarëve, Policia e Shtetit kërkon shmangien e lëvizjes me automjete në zonat që do të bllokohen, për të mos penguar zhvillimin e protestës dhe lëvizjen e pjesëmarrësve.

Kujtojmë se protesta e 24 janarit u shoqërua me tensione, ku 18 persona u arrestuan, 17 të tjerë u proceduan penalisht, ndërsa dy protestues u shpallën në kërkim. Gjatë asaj proteste u dëmtuan edhe 11 punonjës policie, të cilët morën ndihmë mjekësore. Po ashtu, u procedua penalisht edhe sekretari organizativ i Partisë Demokratike, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat