Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar me forcë pas pretendimeve se në dosjen ndaj tij janë shtuar prova të reja të ardhura “nga Amerika”, duke i cilësuar ato si një gënjeshtër të fabrikuar nga SPAK.
Në një reagim për publikun dhe simpatizantët e Partisë së Lirisë, Meta shprehu përbuzjen e tij për këto pretendime dhe i konsideroi si përpjekje për të justifikuar paraburgimin e tij të paligjshëm.
“Në respekt të anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë së Lirisë, por edhe të gjithë qytetarëve shqiptarë dua të shpreh përbuzjen time publike për gjoja prova të reja që paskan ardhur nga ‘Amerika’ pas përfundimit të hetimeve.
Kjo gënjeshtër e shpërndarë nga SPAK-u dhe prokurorët e provuar si shkelës të ligjit dhe kamikazë të Kryekleptokratit, Edi Rama është një mashtrim për të justifikuar paraburgimin tim të paligjshëm dhe kriminal,” shkruan Meta.
Ish-presidenti shtoi se nuk ekziston asnjë letërporosi ose dokument që të provonte shkelje ligjore nga ana e tij dhe se të gjitha pretendimet janë fund e krye një mashtrim.
“Shpreh bindjen e plotë se asnjë letërporosi as ka ardhur dhe as mund të vijë që provon shkeljen e ligjeve shqiptare, amerikane apo ndërkombëtare nga Ilir Meta apo pasjen time dijeni për shkelje të tilla të kryera nga njerëz të tjerë në Shqipëri, SHBA apo kudo tjetër. E kemi thënë edhe më përpara se gjithçka është fund e krye një mashtrim,” shkruan Meta.
Reagimi i tij vjen në një moment kur SPAK ka qenë objekt i debatit politik për mënyrën e trajtimit të figurave të larta politike, ndërsa ish-presidenti thekson rëndësinë e mbrojtjes së pluralizmit politik dhe të drejtave të opozitës në vend.



