back to top
10.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Tetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaProva të paligjshme, hetime jashtë objektit/ Kushtetuesja frenon “gjuetinë” e SPAK

Prova të paligjshme, hetime jashtë objektit/ Kushtetuesja frenon “gjuetinë” e SPAK

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar si të paligjshëm sekuestrimin e celularit të Onejda Ymerajt, drejtuese në një prej spitaleve publike në Tiranë, duke cilësuar veprimin e SPAK si cenim të të drejtave themelore të individit.

Celulari i Ymerajt u sekuestrua në kuadër të hetimeve ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, por Gjykata konstatoi se organi i akuzës kishte tejkaluar kufijtë ligjorë të hetimit, duke hyrë në të dhëna personale dhe profesionale që nuk kishin lidhje me objektin e çështjes.

Sipas vendimit të Kushtetueses, i është cenuar liria dhe fshehtësia e korrespondencës, si dhe e drejta për mbrojtjen e të dhënave personale. Madje, prokuroria kishte aksesuar edhe të dhëna shëndetësore të pacientëve që Ymeraj menaxhonte si drejtuese spitali, në kundërshtim me Konventën Evropiane dhe legjislacionin e BE-së për mbrojtjen e të dhënave të ndjeshme.

Gjykata urdhëroi që vetëm ato të dhëna që lidhen konkretisht me çështjen penale të mbahen nën sekuestro dhe të jenë të aksesueshme vetëm me vendim gjykate. Çdo informacion tjetër i përftuar në mënyrë arbitrare konsiderohet si i papërdorshëm ligjërisht.

Vendimi i Kushtetueses është një precedent i rëndësishëm që vë në dyshim praktikat e zakonshme të SPAK për sekuestrimin e mjeteve elektronike. Këto veprime, sipas Kodit të Procedurës Penale (neni 208/a), duhet të jenë të arsyetuara dhe të kufizuara vetëm në objektin konkret të hetimit.

Gjykata ka dhënë një afat 3-mujor për SPAK që të marrë masa për rivendosjen e ligjshmërisë procedurale dhe për të ndaluar praktikat që cenojnë të drejtat kushtetuese të qytetarëve.

Ky vendim sjell në fokus nevojën për një balancë të drejtë mes hetimit penal dhe mbrojtjes së lirive themelore, një temë që është bërë gjithnjë e më delikate në epokën e hetimeve digjitale.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat