Rreth 28 mijë nxënës të klasës së 9-të në të gjithë vendin kanë përfunduar sot ciklin e provimeve të arsimit bazë, me zhvillimin e testit të fundit në gjuhën e huaj, kryesisht në gjuhën angleze.
Testi nisi në orën 10:00 dhe përfundoi në 12:30, ndërsa nxënësit janë paraqitur në 340 qendra provimesh të ngritura në të gjitha qarqet e vendit. Për të garantuar rregullin dhe mbarëvajtjen e procesit, janë zbatuar masat standarde të sigurisë dhe vëzhgimit.
Nxënësit e konsiderojnë testin e anglishtes si më të lehtë krahasuar me dy testet e mëparshme – atë të gjuhës shqipe dhe matematikës – duke theksuar se komunikimi i përditshëm në anglisht dhe ekspozimi ndaj informacionit në këtë gjuhë, i ka ndihmuar ndjeshëm në përgatitje.
Rezultatet e provimeve pritet të shpallen së shpejti dhe do të jenë të aksesueshme individualisht në shkollat përkatëse, përmes mësuesve kujdestarë.