Ish-ministri i Financave dhe një nga figurat e njohura të Partisë Socialiste, Arben Malaj, deklaroi se PS-ja përpara vitit 2005 ka qenë forca politike më demokratike në Shqipëri. Komentet ai i bëri në emisionin “Një Shqipëri” me Mentor Nazarkon, ku u diskutua evolucioni i të majtës shqiptare në tranzicion.
Malaj tha se rrëzimi i Murit të Berlinit solli një vetëdije të re për dështimin e sistemit komunist dhe krijoi hapësirë për një modernizim politik në Shqipëri.
“Nuk mund të themi se lidershipi i asaj kohe nuk ishte i arsimuar. PS e paravitit 2005 bëri gjënë më të vështirë – krijoi një parti të re dhe moderne,” u shpreh ai.
Sipas Malajt, figura si Fatos Nano dhe Dritëro Agolli luajtën një rol kyç në transformimin e Partisë Socialiste nga një trashëgimtare e PPSH-së në një parti moderne të spektrit të majtë, duke vendosur bazat për një sistem pluralist më të qëndrueshëm.
“Kontributi i tyre ktheu PS-në në një sinergji që ndikoi jo vetëm në vetë partinë, por edhe në modernizimin e vendit,” theksoi Malaj.
Ai komentoi gjithashtu edhe mbi strukturën e Partisë Demokratike në fillimet e saj, duke thënë se për të mundur PS-në, PD bëri aleanca të gjera me grupe të ndryshme sociale, gjë që sipas tij mbeti një peng në strukturën e saj të brendshme edhe më vonë.
Malaj theksoi se Shqipëria është një nga të paktat vende të Europës Lindore që nuk ka pasur përfaqësim të Partisë Komuniste në Parlament që prej vitit 1992, duke e cilësuar këtë si një hap domethënës drejt demokracisë.