Numërimi i votave nga diaspora për zgjedhjet e 11 majit vijon, dhe të dhënat paraprake të siguruara nga 12 kuti votimi tregojnë një epërsi të qartë për Partinë Socialiste.
Deri tani, PS ka siguruar 4,649 vota, përkundër 2,257 votave të marra nga Partia Demokratike.
Sakaq, procesi i numërimit të votave të mbërritura nga Greqia është bllokuar për shkak se KQZ pranoi kërkesën e PD, e cila kërkoi që çdo zarf me fleta votimi nga emigrantët në shtetin fqinj të vendoset mënjanë dhe të mos numërohet me pretendimin se nuk janë plotësuar nga votuesit.
Në konferencë për mediat, kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi tha se PD nuk ka dërguar asnjë provë për shkelje të ligjit me votat në Greqi. Por, gjithsesi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të pranojë kërkesën e Partisë Demokratike për të bllokuar procesin e numërimit të votave të diasporës nga Greqia.