Anëtarët socialistë të Këshillit Bashkiak të Tiranës janë thirrur të mblidhen më 17 shtator, ora 17:00, në selinë e Partisë Socialiste, për të diskutuar vendimin për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Edhe pse axhenda zyrtare nuk është bërë publike, burime nga grupi socialist konfirmojnë se çështja kryesore e takimit do të jetë procedura për largimin e Veliajt nga detyra, pas arrestimit të tij. Vendimi shihet si një manovër politike që do t’i hapte rrugë zgjedhjeve të reja në Tiranë.
Megjithatë, procedura mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Avokatët ndërkombëtarë të Veliajt paralajmërojnë se do ta ankimojnë vendimin, duke argumentuar se ai është ende në proces gjyqësor dhe nuk ekziston asnjë vendim i formës së prerë që të vërtetojë fajësinë e tij. Burime pranë mbrojtjes theksojnë gjithashtu se rasti do të çohet edhe në Strasburg, duke e cilësuar shkarkimin si ndërhyrje politike në procesin ligjor.
Në mbrojtje të Veliajt përmendet precedenti i Fredi Belerit, i cili nuk u shkarkua nga Këshilli Bashkiak i Himarës gjatë paraburgimit, pasi mungesa në detyrë konsiderohet jo e vullnetshme. E njëjta logjikë u aplikua edhe për rastin e ish-kryeministrit Sali Berisha gjatë arrestit shtëpiak.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa socialistët duket se kërkojnë zgjidhje politike për një nga bashkitë më të rëndësishme të vendit, ndërsa beteja ligjore pritet të jetë e gjatë dhe e fortë.