Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, u pyet sot nga gazetarët për nismën ligjore të Partia Socialiste që synon ndalimin e pezullimit të ministrave. Gonzato theksoi rëndësinë e mosprekjes së Reformës në Drejtësi, të miratuar në vitin 2016, duke nënvizuar që Bashkimi Europian ndjek nga afër çdo iniciativë ligjore që lidhet me shtetin ligjor.
“Ne i ndjekim nga afër të gjitha nismat e qeverisë që lidhen me shtetin ligjor, që të mos prekin reformën e drejtësisë të vitit 2016-të, nisma të tilla. Sa i takon ndikimit që kanë në këtë rast nuk do kisha një koment,” tha Gonzato.
Ndërkohë, kryetari i Komisionit për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Evropian (AFET), David McAllister, nuk komentoi drejtpërdrejt nismën, por u shpreh se qëndrimi i tij është në linjë me atë të ambasadorit Gonzato.



