Kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, ka folur hapur në Komisionin e Ekonomisë mbi kufizimet që institucioni që ai drejton has gjatë hetimeve, duke theksuar se mungesa e aksesit në pajisjet elektronike, si celularët, e pengon ndjeshëm zbulimin e marrëveshjeve të fshehta dhe shkeljeve të konkurrencës së ndershme.
Biba solli në vëmendje praktikat e vendeve të Bashkimit Evropian dhe të rajonit, si Polonia, Turqia, Italia dhe Gjermania, ku autoritetet ligjzbatuese kanë të drejtën ligjore të hyjnë në celularë për pak sekonda, duke respektuar hierarkinë e shtetit ligjor mbi privatësinë personale.
“Nuk arritëm të evidentonim marrëveshje të fshehtë mes tyre. I hymë në kompjutera, iu shkuam në zyra. Kaq janë mundësitë tona. Kur e kam thënë që homologët tanë ju marrin celularët, ka pasur humor, doni të bëheni SPAK numër dy etj. Por ky (celulari) është tradhtari më i madh për çdo gjë,” – deklaroi Biba.
Sipas tij, vetëm përmes sekuestrimit të pajisjeve elektronike mund të zhvillohet një hetim i plotë, siç ndodh me Prokurorinë e Posaçme (SPAK), e cila ka përdorur këtë metodë me sukses në disa çështje të bujshme.
“Edhe ata zotërinjtë e SPAK-ut apo të prokurorisë në Shqipëri shumicën e sukseseve të tyre i kanë pasur nga Sky, nga EncroChat. Ne nuk e kemi këtë mundësi. Polakët, turqit, italianët, gjermanët –të gjithë i kanë. Në tre sekonda e hapin celularin, dhe me respekt të plotë për privatësinë, e ndajnë çfarë është personale e çfarë hetimore,” – shtoi kreu i Autoritetit të Konkurrencës.
Në përfundim, Biba theksoi se në realitetin modern, privatësia personale nuk mund të jetë më e rëndësishme se sundimi i ligjit, duke nënvizuar se “jetojmë në një botë ku privatësia nuk është më absolute, përballë nevojës për drejtësi dhe rend publik”.



