Ish-deputeti i Partisë Demokratike dhe drejtuesi i Partisë Djathtas 1912, Enkelejd Alibeaj, ka deklaruar se kryebashkiaku i shkarkuar i Tiranës, Erion Veliaj, nuk do ta çojë çështjen e shkarkimit të tij në Gjykatën Kushtetuese.
Alibeaj tha se Veliaj është nën sulm nga disa drejtime dhe një hap i tillë nuk do të ishte në favor të kryeministrit Edi Rama.
“Unë kam një përshtypje që Erion Veliaj nuk do e çojë dot çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë situatë, sa kohë që ai është në një sulm, me goditje nga drejtësia, nga partia e tij dhe nga një pjesë e opozitës, nuk kam parë asnjë sinjal rebelimi prej tij. Një ankim në Kushtetuese do e pezullonte shkarkimin dhe do e shtynte në kohë, gjë që nuk do ishte në dobi të Edi Ramës. Ndoshta mund të ketë edhe një pakt mes tij dhe Ramës”, u shpreh Alibeaj.
Sipas tij, zgjedhja e Ogerta Manastirliut si kandidate për kryetare bashkie ishte lëvizje e menduar mirë nga Rama, për të shmangur çdo rrezik politik.
“Manastirliu është një figurë që as në horizontin më të largët nuk do ta rrezikonte Ramën. Ai arriti të përdorte edhe opozitën në Këshillin Bashkiak. Përjashtim bëri vetëm zoti Topollaj, i cili lexoi qartë se çfarë po luhej. Ky është ndoshta dëmi më i madh politik i radhës që i është bërë opozitës”, shtoi Alibeaj, në emisionin “Ditari i Pasdites” në A2 CNN.
Ai theksoi se, edhe pse Rama publikisht tha se vetëm firmosi propozimin e ardhur nga Këshilli Bashkiak, në fakt “edhe në formë, edhe në përmbajtje, shkarkimi është i Edi Ramës”.



