back to top
32.5 C
Tirana
E enjte, 28 Gusht, 2025
spot_img
KreuAktualitet“Pse tani?”/ Rama u përgjigjet akuzave për ndërhyrje të vonuar

“Pse tani?”/ Rama u përgjigjet akuzave për ndërhyrje të vonuar

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kritikëve që hedhin dyshime mbi momentin e nisjes së aksioneve për lirimin e hapësirave publike dhe prishjen e ndërtimeve pa leje, duke e quajtur këtë një përpjekje të vazhdueshme që përballet shpesh me pengesa institucionale.

Në takimin me kryetarët e bashkive në Durrës, Rama theksoi se nuk ka një “moment ideal” për të vepruar kundër shkeljeve të ligjit, por vendosmëria për të ndalur fenomenin duhet të jetë konstante.

“Për ata që thonë: pse u kujtuat tani dhe pse i latë këto? Kjo është një betejë e përditshme,” u shpreh Rama. “Por nëse nuk funksionojnë të gjitha hallkat – nga pushteti vendor deri te drejtësia – përpjekja jonë shpesh mbetet vetëm në sipërfaqe.”

Ai kritikoi strukturat e drejtësisë për mosveprim dhe paaftësi për të ndëshkuar përgjegjësit, duke i krahasuar me një sistem që “rrjedh si kullesë makaronash” dhe ku faktet e kryera mbeten pa pasojë.

“Nëse drejtësia nuk është në dispozicion të zbatimit të ligjit dhe faktet mbeten në territor pa u ndëshkuar, atëherë kjo përpjekje duhet të përsëritet herë pas here, derisa të ndahet mendja njëherë e mirë se ndërtimet pa leje nuk sjellin as fitim dhe as sukses,” shtoi ai.

Deklaratat vijnë në një moment kur IKMT dhe strukturat vendore kanë intensifikuar prishjen e objekteve pa leje në zona turistike, duke shkaktuar debat në opinionin publik për kohën dhe mënyrën e ndërhyrjeve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat