Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka deklaruar se divorci mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit erdhi si pasojë e përdorimit të kartave të dyshuara, të cilat po hetohen nga SPAK. Në një intervistë për emisionin “Real Story”, Blushi theksoi se Meta nuk ka qenë përdorues i asnjë karte të përmendur në hetim dhe ka ndërprerë marrëdhënien me Kryemadhin pasi është informuar për situatën.
“SPAK ka treguar se kartat janë në emër të Shatkut dhe zonjës Kryemadhi. Nuk ka asnjë kartë në emër të zotit Meta. Në momentin kur Meta është informuar për këtë fakt, ai ka vendosur divorcin, si për një shkelje të besimit, ashtu edhe të ligjit,” u shpreh Blushi.
Ai shtoi se divorci ka qenë një reagim i drejtpërdrejtë ndaj asaj që Meta e konsideroi tradhti, dhe jo një veprim politik i kalkuluar. Sipas tij, kjo çështje ka prodhuar më shumë zhurmë politike sesa provë penale.
Blushi akuzoi sistemin e drejtësisë se ndodhet nën trysni dhe e cilësoi atë më të korruptuar se më parë, ndërsa pretendoi se gjyqtarët po vendosin nën presionin e përgjimeve dhe frikës nga ndëshkimi.
“SPAK mund të përgjojë të gjithë gjyqtarët. Si mund të presësh drejtësi nga dikush që e di se është i përgjuar? Drejtësia sot është më e korruptuar se kurrë,” deklaroi ai.
Në lidhje me mbrojtjen e Ilir Metës, Blushi tha se ajo po zhvillohet në dy shina paralele: një në opinionin publik dhe media për të luftuar “akuzat politike”, dhe një tjetër në gjykatat ndërkombëtare, me synimin për të çuar çështjen deri në Gjykatën e Strasburgut.
“Nëse në dosjen e Metës ka qoftë edhe një shkelje penale, unë do të tërhiqem nga politika,” u zotua Blushi.
Ai shtoi se Meta është në gjendje të mirë shëndetësore dhe psikologjike gjatë qëndrimit në burg, duke theksuar se “para dy javësh ishte kampion i ping pongut në institucionin ku ndodhet dhe nuk ka asnjë shqetësim për gjendjen e tij”.