back to top
18.5 C
Tirana
E mërkurë, 2 Korrik, 2025
spot_img
KreuAktualitetSocialePushime falas në letër/ Sa të aksesueshme janë në të vërtetë plazhet...

Pushime falas në letër/ Sa të aksesueshme janë në të vërtetë plazhet publike?

Për herë të parë pas afro tri dekadash, pushuesit shqiptarë kanë mundësi të shijojnë detin, diellin dhe rërën pa paguar. Një rregullore e re, e miratuar nga Këshilli i Ministrave në tetor të vitit të kaluar, ka hyrë në fuqi këtë sezon veror, duke garantuar që 30% e çdo 1000 metrash vijë bregdetare të jenë pa pagesë për qytetarët.

Përveç lirimit të hapësirës, rregullorja parashikon standarde të reja për plazhet, si distanca e çadrave nga deti, dush me ujë të ëmbël, tualete për të gjithë, përfshirë personat me aftësi të kufizuara, kabina zhveshjeje dhe roje bregdetare.

Lezha – modeli më i mirë i zbatimit

Në plazhet nga Rana e Hedhur deri në Tale, Bashkia Lezhë ka vendosur 268 parcela publike, ku afro 95 mijë metra katrorë janë të lira për pushuesit. Ndërkohë, shoqëria publike “Lezha Invest” ka ngritur një sistem të organizuar me çadra dhe shezlongë me çmime që variojnë nga 300 në 500 lekë.

Roje bregdetare, tualete funksionale dhe kufizues sigurie në det e bëjnë këtë zonë shembull të mirëfunksionimit të rregullores.

Velipoja më shumë hapësira publike, por mungojnë shërbimet

Në plazhin e Velipojës janë krijuar 34 parcela publike, ndërkohë që janë dhënë 55 leje shfrytëzimi për privatët. Edhe pse hapësira është rritur, mungesa e tualeteve dhe dusheve mbetet një shqetësim për pushuesit.

Durrësi më shumë hapësirë, por zbatim i pjesërishëm

Durrësi ka 128 parcela publike në të gjithë vijën e tij bregdetare. Edhe pse ndarja është bërë sipas hartave dhe sinjalistikës, shumë zona nuk i plotësojnë kushtet minimale, si dushe apo tualete për persona me nevoja të veçanta.

Vlorë & Himarë, premisa pozitive, por probleme me pastërtinë

Në plazhe si Zvërneci, Orikumi dhe Dhërmiu janë krijuar hapësira pa pagesë, ndërsa Bashkia e Himarës ka njoftuar vendosjen e 250 çadrave falas për pushuesit. Por ankesa për mungesë higjiene dhe roje plazhi mbeten të pranishme.

Ksamil & Sarandë, rikthimi i plazhit për të gjithë
Në zonën përballë ishujve të Ksamilit janë caktuar 900 m² si hapësirë publike, ndërsa në plazhin Paradiso, 2000 m². Në total, 24 hapësira publike në Ksamil dhe 17 në Sarandë po mirëpriten nga pushuesit, duke rikthyer ndjesinë e “plazhit për të gjithë”.’

Rregullorja është një hap përpara drejt barazisë sociale në turizëm, por zbatimi në terren mbetet sfidë. Lezha e ka kthyer rregulloren në model suksesi, ndërsa pjesa tjetër e bregdetit ka ende rrugë për të bërë drejt standardeve të kërkuara.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat