Demokrati Lisandër Hoxha ka kërkuar që Partia Demokratike të mos marrë pjesë në sesionin e ri parlamentar, duke e cilësuar këtë të pavend dhe të pamoralshme për shkak të qëndrimeve të PD-së se zgjedhjet e majit janë të vjedhura.
“E shikoj të pavend që të shkosh në këtë sesion parlamentar kur tjetri të vjedh zgjedhjet dhe ti thua ‘po shkoj dhe po e luftoj aty’. PD ka ezauruar të gjitha rrugët e saj që prej 2013 dhe duhet të mbajë një qëndrim koherent sa i përket mosnjohjes së parlamentit. Më 10 shtator, PD nuk duhet të jetë dekor, por të thërrasë popullin në rrugë dhe të mos lejojë Ramën të marrë mandatin e katërt,” tha Hoxha për A2 CNN.
Ai paralajmëroi gjithashtu se qeveria e re Rama 4 mund të përfshijë “mercenarë” nga PD: “Rama këto ditë do të dalë dhe do të përpiqet të shesë një qeveri ylber përtej të majtës dhe të djathtës, ka gjetur ca mercenarë që gjoja kanë qenë me PD. Duhet të bëjmë çmos për një shtet normal; ky nuk është normal, ky shtet të shkel, nuk ka gjykata, nuk ka ushqime. Qytetarët duhet t’i përfaqësoj dikush, dhe këtë duhet ta bëjë me vepra dhe jo deklarata,” shtoi Hoxha.