Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të mërkurë, më 18 mars, një bashkëbisedim me përfaqësues të kompanive të furnizimit me karburant, në një kohë kur tregjet globale po përballen me rritje të ndjeshme të çmimeve si pasojë e tensioneve dhe konfliktit në Lindjen e Mesme.
Takimi u fokusua në mënyrat për të përballuar ndikimin e krizës ndërkombëtare në tregun vendas, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe ruajtjen e një ekuilibri në çmimet e karburanteve.
Në fjalën e tij, Rama bëri të ditur se qeveria është duke punuar për një nismë të re, që parashikon hyrjen e shtetit në tregun e karburanteve si distributor garant dhe me shumicë. Sipas tij, kjo do të ndihmojë në stabilizimin e furnizimit dhe në shmangien e ndërmjetësve.
“Ne jemi në punë për të finalizuar një nismë për t’u futur në treg si distributor garant dhe shumice. Ky faktor shtetëror do të garantojë sasi të nevojshme dhe do të lehtësojë marrëdhëniet me të tretët, duke mundësuar lidhje të drejtpërdrejta me kompanitë”, u shpreh kreu i qeverisë.
Megjithatë, Rama sqaroi se aktualisht nuk është në plan rikthimi i Bordit të Transparencës për çmimet e karburanteve, duke theksuar se dialogu me kompanitë ka funksionuar dhe se qëllimi nuk është ndërhyrja e drejtpërdrejtë në aktivitetin e tyre.
“Qëllimi nuk është t’ju shtrëngojmë në punën tuaj, por të sigurohemi që kriza në Lindjen e Mesme të mos projektohet e gjitha mbi konsumatorët. Kjo nënkupton marzhe më të ulëta fitimi për ju, por më mirë marzhe më të ulëta se sa ndërhyrje më të forta”, deklaroi ai.
Kryeministri vlerësoi gjithashtu sjelljen e deritanishme të kompanive të karburanteve, duke theksuar se rritja e çmimeve në Shqipëri ka qenë më e përmbajtur krahasuar me disa tregje të tjera ndërkombëtare, pavarësisht presionit të fortë nga bursat.
Sipas tij, në tregjet globale është regjistruar një rritje deri në 40% e çmimit të naftës, ndërsa në vend ndikimi ka qenë më i moderuar. Ai nënvizoi se situata mbetet e pasigurt dhe e lidhur ngushtë me zhvillimet gjeopolitike, duke e bërë të vështirë parashikimin e ecurisë së çmimeve në vijim.
Rama u ndal edhe te çështja e rezervave të karburantit, duke theksuar se kompanitë disponojnë rezerva fizike për rreth 30 ditë, ndërsa në kontrata janë të garantuara për rreth 100 ditë, çka sipas tij përbën një element pozitiv, por që kërkon monitorim të vazhdueshëm.
Në këtë kontekst, ai theksoi se qeveria do të ndërhyjë aty ku është e nevojshme, duke nisur nga menaxhimi i rezervave dhe garantimi i furnizimit.
Kryeministri komentoi edhe debatin mbi taksën e qarkullimit, duke sqaruar se ulja apo heqja e saj nga çmimi i karburantit nuk do të thotë shmangie e barrës për qytetarët, por zhvendosje e saj në forma të tjera.
“Taksa e qarkullimit nuk është problem të hiqet këtu, por do të shkojë diku tjetër. Nëse kalon te automjeti, qytetarët mund të paguajnë disa herë më shumë, deri në katërfish apo edhe më tepër në raste të caktuara”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se filozofia e kësaj takse lidhet me ndotjen, duke argumentuar se ata që ndotin më shumë duhet të paguajnë më shumë, ndërsa shtoi se kjo nuk prek drejtpërdrejt shtresat më të dobëta si pensionistët.
Takimi me furnizuesit e naftës vjen në një moment kur tregu global i energjisë po përballet me paqartësi dhe luhatje të forta, ndërsa autoritetet shqiptare synojnë të mbajnë nën kontroll efektet në ekonominë vendase dhe në xhepat e qytetarëve.



