back to top
6.5 C
Tirana
E enjte, 25 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetQeveria në ngërç/ 36 dokumente të bllokuara për shkak të pezullimit të...

Qeveria në ngërç/ 36 dokumente të bllokuara për shkak të pezullimit të Ballukut

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot në platformën X pas vendimit për pezullimin e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke e cilësuar këtë masë si “absurde” dhe me pasoja të rënda për funksionimin e qeverisë.

Rama publikoi shembuj konkretë nga puna e përditshme e ekzekutivit, duke argumentuar se pezullimi i një ministri – sipas tij, rast i paparë më parë “në asnjë vend të botës” – ka bllokuar vendimmarrje të rëndësishme dhe procese shtetërore që nuk mund të delegohen.

“Ja konkretisht nga tryeza ime e punës sot, shembujt konkretë, krejt aktualë, pse unë i kam kërkuar Gjykatës Kushtetuese heqjen e pezullimit absurd të një anëtari të qeverisë dhe pse të pezullosh një ministër sjell pasoja që cënojnë konkretisht funksionimin e qeverisë dhe interesin publik,” shkruan Rama.

Rama: Pezullimi po rrezikon marrëveshjen ajrore me Kanadanë

Kryeministri theksoi se një nga proceset e bllokuara lidhet me marrëveshjen dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kanadasë për nisjen e fluturimeve transoqeanike, të planifikuara të nisin në qershor 2026.

Sipas Ramës, diskutimet teknike kanë përfunduar dhe pala kanadeze ka dhënë përgjigje pozitive, por hapat e mëtejshëm kërkojnë firmën e ministrit, kompetencë që nuk mund të delegohet sipas Kushtetutës.

“Kjo procedurë nuk mund të vijojë, pasi autoritetin ekskluziv për këto hapa ia jep ministrit Kushtetuta. Pezullimi vendos një pikëpyetje të madhe mbi fillimin e fluturimeve në qershor 2026,” shkruan Rama.

36 akte të ministrisë të bllokuara, 18 vetëm për rindërtimin

Kreu i qeverisë shtoi se situata është e rënduar edhe nga dokumentet e shumta të pezulluara në ministri, të cilat nuk mund të trajtohen pa praninë e titullarit.

“Sot janë 36 akte të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që mbeten të bllokuara. Vetëm aktet për procesin e rindërtimit janë 18. Çdo ditë që pezullimi zgjatet, zgjatet edhe lista e punëve të bllokuara,” tha Rama.

Kryeministri pritet të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kërkesën e depozituar prej tij, ndërsa polemikat politike rreth këtij pezullimi pritet të vijojnë në ditët në vijim.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat