Ngjarjet e fundit në shkollat e vendit sollën një sërë reagimesh nga prindërit dhe jo vetëm, por edhe një plan masash të hartuara nga Ministria për të shmangur përsëritjen e këtyre episodeve.
Ministria e Arsimit, Ogerta Manastriliu në takimin përmbyllës me prindër dhe mësues, bëri me dije masat e reja të ndërmarra nga qeveria shqiptare. Ministria përmendi se kanë vendosur mbylljen e platformës TikTok, vendosjen e kamerave inteligjente, dyfishimin e numrit të oficerëve të policisë.
“Për rritjen e Sigurisë Fizike dhe Digjitale në Shkolla kemi vendosur: Bllokimin e platformës TikTok, bazuar në një paketë instrumentash që po punohet nga AKCESK dhe AKSHI. Vendosjen e kamerave inteligjente përmes projektit “Smart City” me Emiratet e Bashkuara, duke siguruar një monitorim më efektiv brenda shkollës dhe perimetrit të sigurisë, brenda periudhës së zbatimit të këtij plani. Dyfishimin e numrit të oficerëve të sigurisë, duke arritur 500 oficerë të sigurisë brenda dy vitesh. Ngritjen e një strukture të dedikuar brenda Drejtorive Arsimore që do të koordinojë dhe menaxhojë detyrat e oficerëve të sigurisë dhe bashkëpunimin me strukturat e policisë së shtetit, njësitë e mbrojtjes së fëmijëve në nivel lokal. Vendosim Rregulla të reja dhe masa shtesë për sistemin e monitorimit të telefonave celularë gjatë orëve mësimore, forcojmë mekanizmat e referimit proaktiv dhe sinjalizimit të hershëm për rastet e dhunës dhe bullizmit si dhe bullizmit kibernetik, përmes përdorimit të platformave online në referimin e incidenteve në shkolla dhe jashtë tyre” , tha Manastirliu.
Ndërsa kryeministri Edi Rama, tha se plani i ri vjen edhe si reflektim i të gjitha ideve dhe mendimeve të rrahura në një tur takimesh e dëgjesash publike të zhvilluara me prindër dhe me të gjithë aktorët e sistemit mësimor, një tur i nisur nga gjimnazi Sami Frashëri, në Tiranë që u shtri në të gjithë territorin e vendit.
Deklarata e Kryeministrit Edi Rama:
Përshëndetje të gjithëve dhe faleminderit që në një paradite pushimi jeni të gjithë këtu, anëtar përfaqësues të këshillave të prindërve, drejtues dhe mësues shkollash dhe përfaqësues të institucioneve në një takim që sintetizon të gjithë procesin e këshillimit të zhvilluar në të gjithë territorin e Shqipërisë prej ku doli edhe plani i ri i veprimit për fuqizimin e mekanizmave të sigurisë në shkollë. Siguria e kuptuar si një tërësi elementesh dhe jo thjeshte si një siguri fizike.
U bë shkak një tragjedi që të vihej në lëvizje një shoqëri e tërë dhe një tërësi komunitetesh shkollore dhe prindërore në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe nga ana tjetër që të vihet në lëvizje e njëjta fuqi e brendshme destruktive e vet shoqërisë e përfaqësuar dhe e mishëruar në Parlamentin e Shqipërisë dhe në media.
Dhe si gjithnjë qasja ndaj një ngjarje ka zgjedhje të ndryshme. Si gjithnjë në qasje ndaj një ngjarjeje ka një farsë, ka dhe një marrje përgjegjësie dhe si gjithnjë këtu në këtë vendin tonë edhe në këtë rast farsa nuk mungoi me të gjithë atë forcë destruktive që në fakt rivret të vrarët, riplagos të plagosurit dhe nuk lejon që reflektimi dhe nxjerrja e mësimeve të zhvillohet në mënyrë gjithë përfshirëse. E them këtë se është shumë e rëndësishme që të kuptohet fare mirë që institucionet, qeveria, shteti janë struktura në zhvillim, në përmirësim dhe në vetëkorrigjim të vazhdueshëm.
Edhe vetë procesi i qeverisjes është një proces po kështu zhvillimi, përmirësimi dhe vetëkorrigjimi të vazhdueshëm. Nuk ka asnjëherë në asnjë vend, në asnjë stad të zhvillimit një shtet, një sistem institucional apo një qeveri që të mos ketë më asgjë për të korrigjuar, asgjë për të përmirësuar, asgjë për të zhvilluar dhe të gjitha gjërat të funksionojnë sahat, ashtu sikundër nuk ka si të ketë në raste të tilla një përgjegjësi të vetme, por ka një tërësi përgjegjësish dhe çka ka dalë më së mirë në të gjithë këtë proces ku unë kam pasur mundësinë të marr pjesë në disa prej këshillimeve është se në përjetimin, në kuptimin dhe në reflektimin ndaj një ngjarjeje edhe ndaj një tragjedie si kjo, ka dy Shqipëri.
Ka një Shqipëri në Parlament dhe në media dhe një Shqipëri në komunitet aty ku njerëzit e prekur drejtpërdrejte, e në këtë rast prindërit e prekur drejtpërdrejtë për shkakun e thjeshtë se kanë fëmijët e tyre nëpër shkolla, apo mësuesit e prekur drejtpërdrejtë sepse janë pjesë e një sistemi që duhet të jetë i aftë që t’i parandalojë ngjarje të tilla, reflektojnë dhe diskutojnë në mënyrë krejt tjetër dhe ne kemi ndërtuar si nxitje të këtij këshillimi diskutimin mbi Tik-Tokun po në fakt çka unë kam dëgjuar personalisht nga shumë prindër është se Tik-Toku po e po, po si do ti bëhet me gjithë këtë dhunë, me gjithë këtë çedukim masiv dhe e gjithë këtë prurje, lum përditë nga mediat që shkon në drejtim krejt të kundërt me çfarë ne kemi për qëllim të përbashkët dhe ça duam për fëmijët tanë.
I them të gjitha këto për të pasur shumë të qartë bashkërisht një gjë. Nuk mund të parandalohen dhe nuk mund të shmangen të gjitha ngjarjet që fatkeqësisht ndodhin dhe ajo që i dallon qasjet ndaj tyre qoftë në nivelin komunitare, qoftë në nivelin shoqëror, qoftë në nivelin institucional, qoftë në nivelin qeveritar është si reagojnë ndaj tyre. A bëhet ngjarje një arsye e fortë që pastaj si rrjedhojë ajo sferë e veprimtarisë shoqërore të bëhet shumë më e mirë apo bëhet ngjarja një sebep që shoqëria e tërë të futet në një përleshje se kush e ka fajin? Këto të dyja na ndajnë ne edhe në këtë aspekt, sepse unë sot ndihem i lehtësuar që në një periudhë të shkurtër pas një diskutimi të gjerë dhe gjithëpërfshirës me të gjithë faktorët që janë drejtpërdrejtë të lidhur me këtë sferë kaq të rëndësishme të edukimit dhe të sigurisë së fëmijëve tanë kemi një produkt konkret, një plan konkret me masa konkrete dhe kemi sigurinë që duke zbatuar këtë plan do të kemi një sistem arsimor akoma më të mirë, akoma më të sigurt, kjo është ajo që ne kemi për detyrë.
Dhe thënë të gjithë këto dua të shpreh këtu publikisht edhe si përgjigje për ata të cilët deshën edhe njëherë tjetër të nxjerrin përfitime absurde nga tragjedia e një familje dhe nga humbja e një jetë duke drejtuar gishtin e gjithfarë lloj akuzash dhe duke kërkuar përgjegjësi personale nga ministrja e Arsimit, që ministrja e Arsimit ka jo vetëm të gjithë mbështetjen time, por unë kam bindjen se ashtu sikundër ka luajtur një rol të pamohueshëm në transformimin e sistemit tonë shëndetësor do të luajë një rol për të cilin do të jemi falenderues në transformimin e sistemit arsimor duke e bërë atë ende më të mirë.
Tani, më lejoni që të kthehem në një moment se ku ishim sepse në qoftëse nuk kthehemi herë pas here për të parë mbrapa nuk e kuptojmë se ku jemi dhe as se ku mund të shkojmë përpara. Diskutohet për shkollat, diskutohet për mësuesit, diskutohet për të gjithë këta elementë por në fakt, nëse kthejmë pak kokën mbrapa të gjitha këto diskutime do të ishin të pamundura të bëheshin dhe do ishin të pamundura të imagjinoheshin deri dje kur shkollat ishin në një derexhe që të gjithë ata që janë pjesë e trupës mësimore e mbajnë mend fare mirë se nuk kanë qenë përpara 50 vjetësh, por kanë qenë përpara 10 vjetësh ku mësuesit ishin pa asnjë lloj mbrojtjeje dhe mund të merreshin e të flakeshin sa hap e mbyll sytë nga një shkollë tek tjetra, nga një punë tek tjetra apo nga puna si mësues në rrugë dhe ku rekrutimi i tyre ishte komplet mbi baza arbritrare deri në pikën që në këtë vend kemi pasur 4500 mësues që paguheshin për të dhënë lëndë për të cilat nuk kishin asnjë kualifikim. Mësues muzike që jepnin fiskulturë, mësues kimie që jepnin aritmetikë, mësues aritmetike që jepnin muzikë. Ky është realiteti dhe kur trupa mësimore përdhunohej duke e marrë si kope delesh për ta nxjerrë nëpër mitingje.
Çfarë mund të prisje më shumë nga mësuesit kur ata ishin tërësisht të pasigurt në pozicionin e tyre, përveç gjithçkaje kanë bërë me pasionin dhe me përkushtimin si mësues, personal?
Doni të diskutojmë për pagat, si ishin pagat e mësuesve? Doni të diskutojmë për palestrat e shkollave, që shkollat me palestër numëroheshin me gishtat e dy duarve në të gjithë Shqipërinë?
Doni të diskutojmë që kur ne morëm detyrën, ora e edukimit fizik ishte hequr nga programi mësimor qysh nga rënia e regjimit të kaluar? Se dëgjova zonjën që me shumë të drejtë përmendi të gjithë ato që tha por… . Doni t’ju them që ne vendosëm të rikthejmë edukimin fizik, por nuk gjenim dot mësues të edukimit fizik?
Këto të gjitha nuk ishin histori nga Lufta Nacional Çlirimtare, janë të gjitha pjesë e jetës sonë këtu. Ata që i kanë sot fëmijët 15-16 vjeç i kanë shumë të qarta dhe më e rëndësishmja akoma, doni të flasim për tekstet mësimore, për të famshmin altertekst kur një mori shtëpish botuese futeshin në lojë për të prodhuar tekste dhe tekstet ishin një pazar i madh.
Doni të flasim për provimet?
Doni të flasim për futjen në universitet që ishte një rrumpallë më vete?
Sot kemi një sistem arsimor që ka nevojë për shumë më tepër dhe kjo nuk diskutohet, por ashtu sikundër me çdo sistem tjetër, askush që do të bëjë një vlerësim objektiv nuk duhet ta harrojë se nëse kthejmë kokën dhe shohim se ku jemi sot me nga u nisëm, është dita me natën. Nëse shohim përpara se ku duam të mbërrijmë jemi në të gdhirë. Ky është realiteti dhe sot unë jam shumë besimplotë që edhe ky plan veprimi nuk është një listë dëshirash por është një plan që bazohet në mundësi të studiuara dhe bazohet në bindjen se ato mundësi do të vihen në dispozicion dhe gjithçka u pa këtu do të zbatohet një për një, siç po zbatohet i gjithë programi në tërësi i transformimit në shkollë ku sot ne kemi laboratorët smart për fëmijët që hyjnë në klasën e parë dhe për ata të fillores e kështu me radhë, për të krijuar në të gjithë sistemin mundësinë e një edukimi digjital komplet tjetër dhe brenda një periudhe të shkurtër të gjitha shkollat do të kenë laboratorët smart sepse janë programe të financuara dhe tani janë vetëm në procese zbatimi.
Ashtu sikundër të gjitha shkollat do të hyjnë në sistemin e monitorimit digjital përmes programit që e përshkroi dhe ministrja, por nuk është i shkruar këtu si një dëshirë që do ta bëjmë. Është një program për të cilin kemi një vit që punojmë dhe për të cilin në javët e ardhshme do të firmosim marrëveshjen dhe të cilin do të fillojmë ta implementojmë kështu që me atë program dhe me atë sistem të gjithë prindërit do të kenë mundësinë që të shkojnë tek shkolla dhe të thonë, “Dua ta shoh në klasë si rri fëmija im”, dhe ta kenë në video fëmijët e vet dhe për çdo lloj problematike që krijohet, drejtoria e shkollës do të ketë mundësi të ballafaqojë mësues-fëmijë-prindër e të thotë “Ja si ndodhi, ja kush tha”.
Çështja e bullizmit nuk është një çështje që ne e zbuluam se ndodhi kjo tragjedi. Ne kemi një institucion që merret me ankesat që bëhen për këtë dhe janë ankesa që trajtohen, por natyrisht që tanimë për arsye të një tragjedie, por gjithsesi shumë më tepër janë të vetëdijshëm për rrezikun, shumë më tepër janë të vetëdijshëm për mundësinë e bashkëpunimit.
Edhe sistemi i fletores digjitale i cili do të plotësohet me komponentin e komunikimit mes shkollës dhe prindit ku prindi nuk do të marrë vetëm mungesat dhe notat, por do të marrë edhe në mënyrë të vazhdueshme përshkrimin e sjelljes apo shqetësime të caktuara të lidhura me fëmijën e vet, do të forcojë këtë ndërveprim. Ama, të jemi shumë të qartë për një gjë; nuk ka shkollë, nuk ka shtet, nuk ka qeveri, nuk ka ministri që zëvendëson familjen dhe që zëvendëson prindin.
Ashtu sikundër, mësuesi nëse nuk e ka prindin aleat, ka shumë pak në dorë dhe nga ana tjetër, nëse bashkarisht mësuesit, prindërit dhe kur them mësuesit kam parasysh dhe institucionet që i mbështesin, nuk vendosin sot që të ndryshojnë qasje në këtë marrëdhënie dhe të sigurohen seriozisht se do t’i bëjnë të gjitha ato që ju duhen për të siguruar mbi rritjen psikologjike të fëmijëve, ne do ta humbim këtë gjeneratë fëmijësh.
Është shumë më i fortë, është shumë më ndikues, është shumë më tërheqës ai “rrugaçi” i lagjes që e ka në telefon që quhet TikTok që ne kemi frikë që fëmija të shoqërohet me të kur del nga shtëpia.
Ne Tik-Tok do ta mbyllim për një vit.
Kini parasysh që në ndërkohë kemi bërë të gjithë hulumtimet tona në aspektin teknologjik dhe do të na duhen 6 deri në 8 javë, duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe për një vit ne do ta mbyllim plotësisht për të gjithë. Tik-Tok në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë! Pastaj, gjatë atij viti do të shikojmë si do të veprojnë vendet e tjera, çfarë do të nxjerrë teknologjia për kufizime, për filtra, etj, etj, si do reagojë vetë TikTok se TikTok është një kompani që rrënjët e veta i ka në Kinë dhe po të shikosh TikTok në Kinë dhe po të shikosh TikTok jashtë Kinës, janë dy Tik-Tok të ndryshëm.
TikToku në Kinë promovon se si nxënësit të bëjnë mirë mësimet, se si ruhet natyra, se si është tradita etj. Rrugaçërira, perversitete, dhunë, bullizëm, krim, thika, presa, shpata, revole, euro, dollarë nuk sheh në TikTokun e Kinës. Ndërsa në TikTokun jashtë Kinës vetëm llum dhe vetëm qenëri.
Çfarë na duhet ne kjo? Dhe këtë e bën algoritmi. Është algoritmi që nxit dhe ju e dini shumë mirë,kemi qenë të gjithë në atë moshë dhe unë për veten time, i qëndroj akoma besnik vetes që kur prindërit e mi më thoshin sa të mirë kishin qenë ata në kohën e tyre dhe sa problem ishin fëmijët në kohën time, thoja “betohu Edi Rama që kur të bëhesh si këta, kurrë nuk do të thuash sa të mirë ishim ne, sa problem janë këta’’ dhe unë nuk e them këtë.
Problem sot nuk janë fëmijët tanë, problem sot jemi ne, problem sot është shoqëria jonë, problem sot janë TikToku dhe gjithë toktokët e tjerë që na i marin peng fëmijët. Dhe e përsëris, njësoj si rrugaçi i lagjes, që është personazhi më tërheqës i fëmijërisë, nuk është tërheqës i pari i klasës. Të parin e klasës nuk e do njeri. Është tërheqës ai që të tërheq si të ikësh nga mësimi, si të shkosh të bësh qejf, si të ikësh këtej, si të dalësh andej, si kështu e si ashtu, ja thika, ja kjo e ja ajo.
Ndërkohë që ajo ç’ka është e rëndësishme të dihet, është që ne po e shtrijmë punën për fëmijët edhe në institucionet e tjera, jashtë të gjithë çfarë u diskutua këtu dhe do ta kthejmë në një sistem pune dhe financimi që çdo ministri, çdo institucin në Republikën e Shqipërisë duhet të ketë programin e vet për fëmijët, nuk ka rëndësi se me çfarë merret.
Ndërkohë jemi duke ndërtuar në spitalin Pediatrik një program për të çuar shkollën tek fëmijët, pra fëmijët në spital të kenë mundësinë të bëjnë edhe shkollë, kuptohet, me një program të lehtësur etj, që është një model i shkëlqyer që e kemi marrë nga Izraeli dhe që po e përgatisim së bashku me miqtë nga Izraeli.
Po ashtu jemi në proces për të ndërtuar Institutin e Fëmijëve në Konflikt me Ligjin që është një institut që është një model europian, një model i shekullit të ri i shkollës së riedukimit, nëse mund ta quajmë kështu, për të gjithë ata fëmijë që kanë kryer një vepër, që në rast se nuk do të ishin minorenë, do të ishin në burg, por që nuk mund të çohen në burg sepse aty pastaj dalin edhe më problematikë sesa hynë dhe instituti është projekti, është financimi dhe së shpejti do të lançojmë edhe planin e fillimit për të, ashtu sikundër programi i fermës në shkollë që ne e kemi nisur, duhet të bëhet dhe do të bëhet një program i Ministrisë së Bujqësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe i financuar nga qeveria dhe një program më i gjerë sesa thjesht të kemi një bahçe ku po shkojmë të mbjellim, por edhe një program i prodhimit, edhe i shitjes së atyre produkteve që fëmijët të kuptojnë që domatja nuk prodhohet në TikTok, që puna nuk bëhet në TikTok dhe që marrëdhëniet nuk janë ato të TikTok-ut, por janë ato të jetës reale dhe po kështu, për të gjithë atje, Ministria e Mbrojtjes, do të ketë një program të dedikuar për fëmijët dhe Policia e Shtetit do të ketë një progam të dedikuar për fëmijët, përtej oficerëve të sigurisë.
Ministria e Brendshme me Policinë e Shtetit, sepse është shumë e rëndësishme që ne të bëjmë gjithçka që fëmijët t’i lidhim me jetën reale dhe ndërkohë që të gjithë të rriturit e kësaj shoqërie, në të gjitha llojet e pozicioneve ku janë, do të duhet të përfshihen për t’ua çuar jetën reale para syve.
Ky është një moment që na jep shumë arsye për të çuar më tej shumë punë, por ky është njëkohësisht një moment ku ne kemi bindjen që mund të bëjmë shumë më tepër për shkak të të gjithë atyre që kemi bërë. Ç’ka është bërë në këto 10 vite për të transformuar shkollën; kemi 12 mijë fëmijët sot të angazhuar seriozisht në aktivitet sportiv, në basketboll, volejboll, femra-meshkuj, të cilëve shteti përmes KOKSH që i merr financimet drejtpërdrejt nga qeveria, iu blen të gjitha mjetet që iu duhen; uniformat sportive, këpucët sportive, çantat, peshqirët, të gjitha, siç ndodhte dikur dhe për të mos iu thënë prindërve,‘’blijini’’ dhe për të mos i patur ekipet lara-lara. Do të fusim vitin e ardhshëm shahun në shkollë, do të fusim disiplina të tjera sepse nuk mund t’i bëjmë dot të gjithë volejbollistë dhe basketbollistë dhe kështu do të krijojmë mundësinë brenda një 3-vjeçari që çdo fëmijë, kudo ku të jetë, të ketë mundësi të bëjë një zgjedhje nëse do të merret me sport dhe pastaj do të duhet ta çojmë sportin si një disiplinë e detyruar për çdo fëmijë, jo për ta bërë sportist, por aty ku ka një dhunti apo aty ku përshtatet më shumë, ta mësojë një disiplinë sportive si kulturë sportive, si edukim fizik dhe si shoqërizim etj që i dimë shumë mirë.
Po ku t’i bënim ne ekipet sportive 10 vjet më parë apo edhe 5 vjet më parë? Ku? Në cilat palestra? Në cilat fusha? Sot prej vitesh tanimë, nuk kalon një leje ndërtimi për shkollë e një bashkie nëse nuk ka palestrën projekti, ashtu sikundër së fundi, kemi vënë dhe një rregull tjetër për ata që ndërtojnë resorte, për ata që ndërtojnë pallate, etj, që nuk do ketë leje për asnjë resort askund nëse aty nuk do të ketë dhe një hapësirë për fëmijët dhe atë taksën e strehimit social do ta rishikojmë për të futur brenda saj, pa e rritur, komponentin e fëmijëve.
Pra nga çdo ndërtim në Tiranë, nga çdo ndërtim në Shqipëri duhet të dalë një shumë që do të shkojë për një kopsht, për një shkollë, për një çerdhe.
Kështu që duke e mbyllur fjalimin tim të shkurtër si gjithmonë, dëshiroj edhe një herë të kujtoj se fakti që për gjithë këtë proces u bë shkak një tragjedi flet shumë mirë për vetëdijen tonë, për detyrën tonë.
Detyra jonë nuk është të shmangim dhe të bëjmë të pamundurën çdo të keqe që ndodh sepse këtë nuk e ka bërë dhe nuk e bën dot dhe s’ka për ta bërë dot kurrë asnjë shtet në botë. Të këqijat fatkeqësisht ndodhin, ama detyra jonë është që nga çdo e keqe që ndodh, ne të nxjerrim më të mirën për të bërë që mundësitë që ajo të bëhet përsëri të zvogëlohen dhe ndërkohë që për shkak të asaj që ndodhi, njerëzit, komuniteti, shoqëria të bëhen më të fortë.
Ne nuk e ndalojmë dot tërmetin. Tërmeti bie. Ndërkohë që ne e dimë shumë mirë, jemi të vetëdijshëm që shumë nga ndërtimet e bëra denbabaden në kohëra kur ishte “Liri demokraci”, “Ndërto”, “Ec përpara”, “Legalizo, vazhdo”, nuk janë ndërtime të forta, por ama detyra jonë është që kur tërmeti ndodh në pamundësi për ti rikthyer në jetë 51 njerëz që i merr tragjedia, të rikthejmë në shtëpi 50 mijë njerëz, të cilët më pas të jetojnë në shtëpi që as nuk e kishin imagjinuar dot e mund t’i blinim me lekët e tyre. T’i marrin ato falas dhe të mos tremben më asnjë lloj lëkundjeje, asnjë lloj tërmeti sepse shtëpitë e reja janë, jo vetëm shumë më të mira, por janë dhe shumë më të forta. Kjo është detyra jonë. Çdo organizatë, çdo familje, që nga familja. Ka prindër të mrekullueshëm të cilëve iu bie gjëma e një fëmije të mbrapsht apo e një fëmije që hyn në një rrugë tërësisht të gabuar.
Prindërit dhe familja nuk gjykohet, ashtu sikundër asnjë organizatë nuk gjykohet, ashtu sikundër asnjë qeveri nuk gjykohet për ngjarjet që mund të ndodhin kur ato natyrisht janë ngjarje që nuk burojnë drejtpërdrejtë nga vendimmarrje të gabuara që të jemi të qartë, por gjykohen nga mënyra sesi reagojnë dhe kështu janë zhvilluar vendet që ne sot i shohim me admirim.
Kështu është zhvilluar BE ku ne duam të bëhemi pjesë dhe do bëhemi pjesë pa diskutim brenda kësaj dekade. Dhe kështu po zhvillohet dhe do të zhvillohet Shqipëria.
Ne nuk kemi çfarë i bëjmë mediave, të cilat janë burimi më i madh, pas parlamentit, i gjuhës së urrejtjes dhe i sjelljes së papranueshme të njeriut me njeriut. Kjo quhet “Liri, demokraci”, nuk e di unë çfarë tjetër është kjo.
Ne nuk kemi çfarë i bëjmë një deputeti që del nga foltorja dhe pengon me trup të tjerët që të flasin. Por kur kjo dhe shumë të tjera si këto marrin rrugët e youtube, facebook, tik-tok etj, dhe kur iu shfaqen fëmijëve tanë, se ne TikTok nuk del plani i ri i veprimit. Në TikTok nga kjo ngjarje mund të dalë vetëm nëqoftëse unë bie nga shkallët atje. Bie unë nga shkallët, jam në TikTok. Ja ky është plani i ri i veprimit.
Dhe kur fëmijët tanë, adoleshentët shikojnë një “trim”, apo një tufë me “trima” që nuk lënë të tjerët të flasin, natyrisht që atyre iu pëlqejnë këta trima më shumë sesa ata që flasin. Dhe natyrisht që duan t’i kopjojnë këta trima kur flet mësuesi atje përpara. Ose kur një shok i klasës e ka seriozisht kur do të japë provimin apo mësimin dhe e pengojnë ta japi. Ky është efekti i gjithë kësaj.
Se TikTok në fund të fundit promovon çfarë gjen nëpër rrugët e politikës dhe të mediave tona. Këtyre vështirësish s’kemi se çfarë i bëjmë, por ama, ne mund të bëjmë shumë brenda për brenda hapësirës ku mësuesi, prindi dhe fëmija janë bashkë dhe këto do t’i bëjmë të gjitha.
Dhe Kryetari i Këshillit të prindërve të Tiranës tha që ka ende të tjera gjëra për t’u bërë dhe nuk diskutohet që ky plan veprimi nuk është një plan 5 vjeçar i ngrirë si ato të kohëve të shkuara, por është një plan i hapur dhe çdo risi është e mirëpritur, por ajo që unë i kam thënë ministres është: kjo eksperiencë përtej të gjitha rezultateve, më të mirën e vet pati 1300 takime dhe diskutime.
Dhe ndërtimi i një ure institucionale mes ministrisë dhe këshillave të prindërve dhe ndërtimi i një sistemi komunikimi, bashkëbisedimi nga i cili të burojnë pastaj rekomandime dhe nga i cili të burojnë kritika, vërejtjeje, sugjerime është gjëja më e rëndësishme. Dhe ne do bëjmë gjithçka që ta bëjmë këtë.