Çmimet e qirave për banesa dhe shërbimet në kafene kanë shënuar një rritje të fortë gjatë dy viteve të fundit, duke e vendosur presionin mbi buxhetet e familjeve shqiptare. Sipas të dhënave të detajuara mbi inflacionin nga INSTAT, në korrik 2025 çmimet e qirave, kafesë dhe mbulesave të dyshemesë u rritën nga 5.4 deri në 7%, gati dy herë më shumë se niveli i përgjithshëm i inflacionit.
Qiratë, nga Fresku te Blloku, çmimet marramendëse
Tregu i qirave mbetet ndër më problematikët, veçanërisht në kryeqytet. Vetëm brenda periudhës janar 2023 – korrik 2025, rritja e qirave ishte e qëndrueshme, me norma nga 3% deri në 5% në bazë vjetore.
Në korrik 2025 ndryshimi vjetor i çmimit të qirasë arriti 5.4%, një rritje e ndjeshme krahasuar me vetëm 0.9% në shkurt 2025.
Në Tiranë, sipas agjencive të pasurive të paluajtshme, një apartament 1+1 kushton nga 330 deri në 400 euro/muaj në zonën e Freskut, ndërsa në zonat më të shtrenjta si ish-Blloku dhe Stadiumi Air Albania çmimi shkon deri në 800 euro. Për apartamentet 2+1, qiratë fillojnë nga 550 euro dhe arrijnë deri në 1300 euro në zonat më të kërkuara.
Një faktor kryesor që ka ndikuar në këtë shtrenjtim është turizmi dhe dhënia e apartamenteve me qira afatshkurtra për turistë, çka ka kufizuar ndjeshëm ofertën për qiratë afatgjata për familjet vendase.
Kafja, një luks i përditshëm
Një tjetër kategori që ka parë rritje të fortë çmimesh është ajo e shërbimeve të kafeneve. Vetëm në korrik 2025, çmimet e kafesë shënuan një rritje prej 6% krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Rritja e pagave të stafit, kostot më të larta të importit të kafesë dhe qirave të ambienteve kanë ndikuar drejtpërdrejt në këtë trend. Megjithëse frekuentimi i kafeneve mbetet një pjesë e pandashme e kulturës shqiptare, për konsumatorët me të ardhura të ulëta një kafe e përditshme po kthehet gjithnjë e më shumë në luks.
Çmime që nuk kthehen më pas
Edhe mbulesat e dyshemesë, ndonëse nuk përbëjnë një kategori me peshë të madhe në shpenzimet familjare, janë rritur me 6.7% në korrik 2024, krahasuar me vetëm 2.9% në korrik 2023.
Ekspertët theksojnë se, edhe pse inflacioni i përgjithshëm ka nisur të ulet krahasuar me kulmin e vitit 2022, çmimet nuk po kthehen më në nivelet e mëparshme. Kjo do të thotë se barra e shpenzimeve të larta është shndërruar tashmë në një realitet të përhershëm për konsumatorët shqiptarë, veçanërisht në zonat urbane.