Ministria e Mjedisit ka nxjerrë për konsultim publik një projektligj për ndryshime në ligjin nr. 162/2014 “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis”, i cili sjell risi të rëndësishme në drejtim të përgjegjësisë shtetërore dhe të drejtave të qytetarëve.
Një nga ndryshimet kryesore është parashikimi i së drejtës për qytetarët që të kërkojnë kompensim për dëmet në shëndet, në rastet kur provohet se ato janë shkaktuar nga shkelje të autoriteteve në menaxhimin e cilësisë së ajrit. Mekanizmi i propozuar vendos një lidhje të drejtpërdrejtë mes ndotjes së ajrit dhe kompensimit financiar nga shteti.
Neni i ri 19/1 përfaqëson një ndryshim thelbësor në ligj, duke e zhvendosur fokusin nga një qasje kryesisht rregullatore drejt një modeli që përfshin edhe përgjegjësi civile. Sipas draftit, çdo person që ka pësuar dëmtim të shëndetit si pasojë e një shkeljeje serioze, qoftë me dashje apo nga pakujdesia, mund të kërkojë dëmshpërblim, nëse vërtetohet lidhja e drejtpërdrejtë mes ndotjes dhe dëmit.
Projektligji përcakton gjithashtu afate kohore për paraqitjen e kërkesave: qytetarët kanë deri në tre vite nga momenti kur marrin dijeni për dëmin, ndërsa një afat maksimal prej 10 vitesh nga momenti i shkeljes.
Kjo risi vjen në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Europian, ku theksi vendoset mbi lidhjen mes ndotjes dhe përgjegjësisë publike.
Përveç aspektit të kompensimit, projektligji parashikon edhe një paketë më të gjerë reformash për modernizimin e sistemit të monitorimit dhe menaxhimit të cilësisë së ajrit. Drafti zgjeron përkufizimet teknike dhe listën e ndotësve, duke përfshirë elementë si grimcat ultrafine dhe karboni i zi, si dhe fut konceptin e “modelimit të cilësisë së ajrit” për analiza më të avancuara.
Në aspektin praktik, parashikohet ngritja e të paktën dy superstacioneve monitorimi në zona urbane dhe rurale, të cilat do të plotësohen nga një sistem i integruar digjital. Të dhënat për cilësinë e ajrit do të përpunohen dhe publikohen në kohë reale nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit.
Projektligji forcon gjithashtu detyrimet për hartimin dhe zbatimin e planeve të cilësisë së ajrit. Institucionet përgjegjëse do të kenë afate më të shkurtra reagimi në rast tejkalimi të normave, ndërsa njësitë vendore do të duhet të ndërmarrin masa emergjente kur nivelet e ndotjes rriten, përfshirë kufizime të trafikut apo masa të tjera të menjëhershme.
Një tjetër element i rëndësishëm është rritja e transparencës. Indeksi i cilësisë së ajrit do të përditësohet çdo orë, duke informuar qytetarët jo vetëm për nivelet e ndotjes, por edhe për ndikimet e mundshme në shëndet dhe masat mbrojtëse që mund të ndërmerren.
Projektligji adreson gjithashtu edhe ndotjen ndërkufitare, duke parashikuar identifikimin e zonave të prekura dhe bashkëpunim me vendet fqinje për monitorim dhe shkëmbim të dhënash. Nëse miratohet, ligji do të pasohet nga një sërë aktesh nënligjore që duhet të përgatiten brenda 18 muajve.



