Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një konsultim publik me qytetarët kredimarrës për mënyrën se si bankat e nivelit të dytë kanë përcaktuar sigurimin e jetës për kreditë gjatë periudhës 2021–2025.
Shqetësimi lidhet me hetimin e nisur nga institucioni, ku rezulton se Raiffeisen Bank ka lidhur kontratë ekskluzive me shoqërinë Sigal Life, duke e bërë atë ofruesin e vetëm të policës së detyrueshme të sigurimit të jetës për kreditë konsumatore.
Hetimi i Autoritetit
Hetimi i thelluar mbulon periudhën 07.11.2021 – 26.03.2025 dhe synon të verifikojë nëse klientët kanë pasur mundësinë të zgjedhin lirisht kompaninë e sigurimit, apo nëse janë imponuar nga bankat për të përdorur një operator të caktuar.
Sipas të dhënave paraprake, gjatë kësaj periudhe janë prerë rreth 39,000 polica sigurimi vetëm pranë Sigal Life, e cila ka përfituar mbi 90% të tregut për kreditë e Raiffeisen Bank. Kjo ka sjellë të ardhura të konsiderueshme për bankën përmes komisioneve të përfituara.
Ftesë për kredimarrësit
Autoriteti i Konkurrencës i fton të gjithë kredimarrësit që gjatë viteve 2021–2025 kanë paguar sigurim jete të lidhur me kredi, të japin informacion mbi përvojën e tyre. Në mënyrë të veçantë kërkohet të raportohet:
Rastet kur nuk u është dhënë mundësia të zgjedhin shoqërinë e sigurimit të jetës.
Rastet kur janë ndjerë të penguar apo të detyruar nga bankat në këtë zgjedhje.
Dyshimet për kufizim të konkurrencës
Në përfundim të fazës paraprake, Autoriteti vlerëson se sjellja e Raiffeisen Bank SHA ka kufizuar lirinë e zgjedhjes së klientëve dhe ka ndikuar negativisht në konkurrencën e tregut të sigurimeve.
Qëllimi i procesit, sipas institucionit, është krijimi i një tregu të hapur dhe konkurrues, ku qytetarët të kenë mundësinë të zgjedhin ofertën më të favorshme për sigurimin e jetës të lidhur me kreditë.



